Dy muaj e gjysmë janë bërë qëkur gjykata e shkallës së parë i ka dhënë fund procesit gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, si dhe tre të akuzuarve të tjerë për korrupsion.
Mirëpo, që nga ajo kohë gjykata ende nuk e ka shkruar aktgjykimin dhe nuk ua ka dorëzuar prokurorisë e të akuzuarve, në mënyrë që të shfrytëzojnë të drejtën për ankesë, respektivisht kundërankesë në shkallë të dytë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, trupi gjykues ka afat 15 ditë për përpilimin dhe dorëzimin e aktgjykimit nga momenti i shpalljes së tij kur i akuzuari gjendet në paraburgim, kurse në rastet tjera deri në 30 ditë. Kur rasti është i komplikuar, gjykatësi apo kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga kryetari i gjykatës rritjen e këtij afati në 60 ditë.
Në rastin konkret është tejkaluar edhe afati prej 60 ditësh, duke rezultuar me shkeljen e kufizimeve brenda Kodit.