Deputeti Fisnik Ismaili është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për hedhjen e gazit lotesjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Ai është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht par veprën “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Për veprën pengim i personit zyrtar ai është shpallur i pafajshëm pasi sipas kryetarit, Vesel Ismalji prokurori gjatë gjykimi ka hequr dorë nga ndjekja.
Ismaili është akuzuar për të dy këto vepra në kohën kur ka qenë deputet I Vetëvendosjes në Qeverinë e kaluar. Fisnik Ismaili akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, tek i pandehuri ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, raporton “Koha Ditore”.
Ismaili, gjithashtu akuzohej se me 17 nëntor 2015, në dalje të Kuvendit të Kosovës, i kishte penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajlin, Mehdi Kozhanin, Rifat Gashin, Ali Berishën dhe Faik Krasniqin në kryerjen e detyrave zyrtare.
E njëjta gjykatë vitin e kaluar pati dënuar edhe katër deputetë të tjerë të opozitës. Deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi dhe Faton Topalli u patën dënuar me nga mbi 1 vit burg me kusht për secili. Të katër këta deputetë ishin dënuar për veprat e njëjta me deputetin Ismaili.
Për dallim nga gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kualifikim të njëjtë penal u ka shqiptuar vetëm gjobë dy ministrave Endrit Shala e Dardan Gashi si dhe ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku. Mungesa e konsistencës në dënime dhe praktikat e pauinfikuara të ndëshkueshmërisë kritikohen vazhdimisht në raporte vendit e ato ndërkombëtare.