Zëdhënësja e Gjykatës në Colmar të Francës, Sandra di Rosa, ka thënë se në seancë pritet që Ramush Haradinaj dhe mbrojtja e tij, të deklarohen mbi kërkesën për ekstradim, ndërsa vendimi i sektorit hetimor francez, e cila vepron ne ketë rast, mund të informohet me vonë.
Di Rosa ka shpjeguar se sektori i hetimit të gjykatës mund të shprehë mendimin e vet, kurse vendimi për kërkesë për ekstradim do të merret pas disa javësh.
Gjykata e Apelit në Colmar vendos mbi përmbushjen e kushteve për ekstradim të cilat i parasheh Konventa Evropiane për Ekstradim e cila nuk ka afat për marrjen e vendimeve. Derisa procesi i vendimit të gjykatës, zbatohet në përputhje me ligjet procedurale të Francës.
Nëse Gjykata e Apelit merr vendim negativ të kërkesës së Serbisë, ekstradimi i Haradinajt nuk do të jetë i mundur, ka theksuar di Rosa.
Pas kësaj, Haradinaj do të jetë i lirë ta lëshojë Francën dhe Serbia nuk do të këtë të drejtë të ankohet në vendim.
“Nëse Gjykata e Apelit vërteton se janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt, vendimin përfundimtar për ekstradim do të marrë Qeveria franceze”, ka theksuar zëdhënësja e gjykatës.
Haradinaj refuzon ekstradimin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka refuzuar ekstradimin për në Serbi me kërkesë të këtij shteti, pasi është pyetur për këtë nga kryetari i trupit gjykues.
Haradinaj ka thënë përsëri se ky rast është kryekëput politik.
Seanca në gjykatën në Colmar të Francës ende po vazhdon.
Lindon: Kërkesa e Serbisë e pabazuar
Avokatja e Ramush Haradinajt, Rachel Lindon, ka qenë e ashpër para panelit gjykues në fjalën e saj.
Lindon ka thënë se nuk ka asnjë arsye për mbajtjen e Ramush Haradinajt në Francë dhe se kërkesat e Serbisë kanë qenë tërësisht të pabaza.
Edhe kërkesat për ekstradim, Lindon i ka quajtur absurde ndërsa është ankuar për mbajtjen e gjatë të Ramush Haradinajt në Francë.