I dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si udhëheqës i një grupi kriminal, Azem Syla vazhdon të qëndrojë në paraburgim që nga data 29 prill.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër muaj, procesi gjyqësor ndaj Sylës dhe të dyshuarve të tjerë për tjetërsim pronash në mënyrë të kundërligjshme akoma është në fazën fillestare, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ndërkaq, Gjykata Themelore sot pritet të vendosë se a do t’ia vazhdojë Azem Sylës masën e paraburgimit edhe për tre muaj të tjerë.
Avokati mbrojtës i tij, Tomë Gashi, ka thënë se ata si mbrojtje presin që gjykata të marrë parasysh kërkesën e tyre për heqjen e masës ligjore, ndërsa ka theksuar se prokurori i rastit vazhdon të insistojë në vazhdimin e paraburgimit për klientin e tij.
“Pas caktimit të paraburgimit ndaj Azem Sylës më 29 prill 2016, dhe pas kalimit të afatit prej 4 muajve, gjykata nesër do të mbajë seancë të veçantë për të vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorit të EULEX-it, për vazhdimin e paraburgimit ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve edhe për 3 muaj të ardhshëm. Si mbrojtje e Azem Sylës besojmë se këtë herë nuk do t’i vazhdohet paraburgimi ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ngase nuk ka asnjë arsye ligjore për këtë.
Vazhdimi i paraburgimit mund të konsiderohet vetëm si dënim ndaj Azem Sylës dhe jo si masë ligjore, pasi që Prokurori deklaron se i ka të gjitha provat me shkrim në këtë çështje”, ka thënë Tomë Gashi.