Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Dhomave të Specializuara, duke i cilësuar ato si përpjekje për menaxhim të imazhit dhe jo si angazhim real për drejtësi.
Sipas OVL-së, ajo që po ndodh nuk është komunikim i rastësishëm publik, por një strategji e qëllimshme.
“Kjo që po shohim nuk është ligjëratë e rastësishme, por përpjekje e qartë e Dhomave të Specializuara për ‘kontroll të dëmit’ ndaj imazhit të tyre të rënduar, pas shkeljeve të njëpasnjëshme që i kanë bërë ndaj të drejtave themelore të të akuzuarve dhe ndaj vetë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e organizatës.
OVL e UÇK-së thekson se Gjykata Speciale duhet të fokusohet në respektimin e ligjit dhe standardeve ndërkombëtare, e jo në fushata publike.
“Në vend që të merret me fushata propagandistike dhe menaxhim të imazhit publik, Gjykata Speciale duhet ta përmirësojë besueshmërinë e saj duke respektuar Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë”, thuhet më tej.
Në reagim bëhet edhe një krahasim historik me periudhën e ish-Jugosllavisë, duke vlerësuar se praktikat aktuale ngjajnë me qasjet e dikurshme represive.
“Këto skena na përkujtojnë se, në mënyrë të ngjashme, dikur kanë vepruar edhe organet e pushtetit në ish-Jugosllavi… me qëllim të dënimit të organizatorëve të demonstratave dhe të përgatitjes politike e psikologjike të popullit për t’i pranuar si të mirëqena dënimet drakonike”, thuhet në reagim, duke shtuar se kjo qasje “nuk i shërben drejtësisë, por imponimit të një narrative të parapërgatitur”.
OVL e UÇK-së ka renditur edhe shkeljet kryesore që, sipas saj, e kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Gjykatës Speciale. Ndër to përmenden ndjekja penale vetëm e një pale, mohimi i lirimit të përkohshëm edhe në raste humanitare, zgjatja e pajustifikueshme e paraburgimit, cenimi i dinjitetit njerëzor të të paraburgosurve, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies publike, si dhe ndërhyrjet indirekte në fusha të ndjeshme shoqërore si arsimi.
“Këto shkelje përbëjnë cenim serioz të parimeve themelore të drejtësisë dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut”, përfundon reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.