Gjykata Supreme ka përmbyllur vitin 2019 me gjithsej 1.239 lëndë të kryera, derisa të pakryera kanë mbetur 171 sosh. Të trashëguara nga viti 2018 kanë qenë 100 lëndë, ndërsa të pranuara gjatë vitit 2019, ishin 1.310 lëndë. Nga kjo rrjedh se efikasiteti në përfundimin e lëndëve ka qenë 100 për qind.
Analizuar sipas mjeteve të jashtëzakonshme juridike, përmes të cilave, palët i janë drejtuar Gjykatës Supreme, prijnë Revizionet, ku prej 471 lëndëve të pranuara dhe gjithsej 533 sosh në punë, janë kryer 418 lëndë, ndërkohë që të pakryera rezultojnë 115, pasuar nga Kërkesat për Mbrojtje të Ligjshmërisë “PML”, ku nga 386 kërkesa të pranuara gjatë vitit 2019 dhe 394 sosh në punë, janë kryer 377 prej tyre duke ngelur vetëm 17 lëndë të pakryera, përkatësisht të trashëguara në vitin 2020.
Trendi i pranimit të lëndëve të reja, ishte përafërsisht i njëjtë me trendin e lëndëve të pranuara në vitin 2018. Megjithatë, viti 2019 ka qenë më specifik, për shkak të mbajtjes së Zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare, me ç‘rast, Gjykata Supreme ka pranuar 33 ankesa administrative, për të cilat është vendosur brenda afatit ligjor dhe të cilat kanë qenë me peshë në kuptimin e vendimmarrjes.
Ndryshe, numri prej 171 lëndëve të trashëguara në vitin 2020, iu përket lëndëve të pranuara në muajt e fundit të vitit 2019, derisa mesatarja e kryerjes së një lënde në gjykatë, është rreth 3-4 muaj.
Po ashtu, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri, në korrikun e vitit të kaluar, për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, dhe rifunksionalizimit të saj, në këtë Dhomë, janë kryer 1.824 lëndë, derisa të pakryera rezultojnë edhe 22.041 sosh.
Ndërkaq, në Kolegjin e Apelit të Gjykatës Supreme, gjatë vitit 2019 janë kryer 127 ankesa, prej tyre 89 aktgjykime meritore, 38 vendime procedurale, derisa janë trashëguar për vitin 2020, 43 ankesa.
Bazuar në kompetencat e tij, si kryesues i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, bashkë me anëtarët e këtij komisioni kanë punuar në drejtim të harmonizimit të politikës ndëshkimore në vend. Përveç tryezave, vizitave e takimeve të këtij Komisioni, gjatë vitit 2019, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, është publikuar raporti “Analiza për matjen e dënimeve te rastet e korrupsionit”. Po ashtu me mbështetjen e USAID është publikuar “Përmbledhja nga praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme, në kontestet pronësore”.
Gjykata Supreme, bazuar në kompetencat e saja ligjore, gjatë vitit 2019, ka nxjerr disa mendime juridike, qëndrime parimore dhe udhëzime, me qëllim të unifikimit të praktikës gjyqësore në vend.