Gjykata Supreme refuzon revizionin për shpifje ndaj gazetarit të “UlpianaPress”

Prishtinë | 18 Shk 2026 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar revizionin e paditësit I.A., të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykata e Apelit, në çështjen juridike kontestimore kundër të paditurit G.D., me objekt kontesti kompensim i dëmit për shkak të shpifjes dhe fyerjes.

Sipas komunikatës, I.A. ka kërkuar që të detyrohet G.D., gazetar në portalin “UlpianaPress”, që t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 10.000,00 euro, si pasojë e publikimit të fakteve të pavërteta më 22.10.2018 me titull “Pushteti i I.A., nuk ngopet shpenzon mijëra euro për dreka” dhe më 24.10.2018 me titull “Për tre muaj komuna e Lipjanit 30.000,00-€ për ushqim e karburante”, me pretendimin se i është cenuar dhe dëmtuar personaliteti, dinjiteti dhe reputacioni.

Kjo padi ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega Lipjan, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Kundër këtij vendimi, paditësi kishte paraqitur revizion në Gjykata Supreme.

“Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme vlerëson se në rrethanat konkrete të rastit, nuk janë përmbushur elementet ligjore të përgjegjësisë civile për shpifje, meqenëse nga provat e administruara rezulton qartë se i padituri nuk ka qenë autor i publikimeve kontestuese, por ka transmetuar informacione të cilat buronin nga raporte monitoruese dhe media të njohura, përkatësisht nga publikimi i Organizatës ‘Polis’ dhe gazeta ‘Koha Ditore’”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Në vijim, theksohet se: Në këtë kontekst, Gjykata Supreme vlerëson se i padituri ka vepruar brenda kufijve të lirisë së shprehjes dhe informimit për çështje me interes publik, pa u dëshmuar qëllimi i keq apo shpërndarja e qëllimshme e informatave të pavërteta. Një qasje e tillë është në përputhje jo vetëm me Ligjin Nr. 02/L-65 për Shpifjen dhe Fyerjen, por edhe me standardet e Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave përgjegjësia për shpifje nuk mund t’i imponohet një personi që ka përcjellë informacione nga burime të besueshme dhe në funksion të debatit publik, pa qenë autor i drejtpërdrejtë i pretendimeve faktike.

Të ngjashme