Gjykata Themelore në Prizren ka reaguar përmes një komunikate për media ndaj pretendimeve lidhur me mbajtjen e të pandehurve pas përfundimit të seancës dëgjimore.
Në komunikatë thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, në përfundim të seancës rreth orës 22:10, ka konstatuar në procesverbal se të pandehurit do të kthehen në qendrat e tyre të ndalimit, në mënyrë që Gjykata t’i njoftojë ata lidhur me aktvendimin për propozimin, përkatësisht kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas Gjykatës, ky veprim është ndërmarrë në përputhje me nenin 162, paragrafi 8 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parasheh se seanca dëgjimore për vendosjen e masës së paraburgimit duhet të mbahet brenda 48 orëve nga arresti, si dhe se në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim.
Gjykata ka theksuar se në rastin konkret seanca dëgjimore është mbajtur brenda afatit ligjor prej 48 orësh dhe se konstata e gjyqtarit për mbajtjen e të pandehurve në ndalim është shënuar në procesverbal.
Po ashtu, Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se sot, në momentin kur të përpilohet vendimi i plotë në formë të shkruar, palët dhe publiku do të njoftohen për vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, në përfundim të seancës (ora 22.10), ka konstatuar në procesverbal se të pandehurit do të kthehen në qendrat e tyre të ndalimit në mënyrë që Gjykata do t’i njoftojë lidhur me aktvendimit për propozimin/kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren. Ky vendim i Gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë konform neni 162 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 8 ku thuhet se “ Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda dyzetetetë (48) orëve nga arresti, gjyqtari i procedurës paraprake mban seancën dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri duhet të mbahet në paraburgim (në rastin konkret brenda 48 orësh është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore Prizren), dhe në vazhdim të paragrafit thuhet se “Në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim”, çka edhe Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar në procesverbal në rastin konkret”, thuhet në reagimin e gjykatës.
Reagimi i Gjykatës Themelore në Prizren erdhi pas reagimeve publike të avokatëve Driton Muharremi, Yll Zekaj dhe Faton Fetahu lidhur me mbajtjen e të pandehurve pas seancës dëgjimore.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Prokuroria Themelore në Prizren kishte dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazrekut, dhe ish-drejtorit të Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit, Valon Berisha, si dhe Florent Sylejmanit e Yll Çollakut. Kurse ndaj 35 të tjerëve ka kërkuar masën e paraqitjes në Polici.
Mazreku dhe Berisha bashkë me të dyshuarit tjerë u arrestuan mëngjesin e 8 janarit në një aksion të Prokurorisë Themelore të Prizrenit që ishte udhëhequr nga kryeprokurori Petrit Kryeziu. Dëmi pretendohet të jetë mbi 1 milion euro.
Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kishte njoftuar se se rasti i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar.
Ish-drejtori i Financave në Byronë Kosovare të Sigurimit, Valon Berisha, dyshohet të ketë përfituar kundërligjshëm para nga qytetarë të cilët ishin rimbursuar në emër të sigurimeve me shuma dhjetëra mijë euro.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, mes të dyshuarve kryesorë janë Sami Mazreku dhe Valon Berisha, të cilët gjatë periudhës 22 korrik 2022 – 9 tetor 2023, në pozitat drejtuese në BKS, dyshohen se kanë kryer një sërë transaksionesh bankare të paautorizuara, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme. Transaksionet e dyshuara përfshijnë shumën prej 4,641 euro deri mbi 8,500 euro për kompensim të supozuar të dëmeve nga aksidentet e trafikut për persona që paraprakisht kishin marrë kompensim, duke shkaktuar kështu dëm të drejtpërdrejtë për BKS-në.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se 39 persona janë arrestuar në aksionin për keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Ai në një konferencë për medie kishte deklaruar se dëmi vlerësohet të jetë 1 milion e 43 mijë euro, derisa shtoi se cak i hetimeve ishin edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, të cilët po ashtu janë në mesin e të arrestuarve