Gjykata turke pritet ta lirojë pastorin amerikan Andrew Brunson

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Pas dy vitesh pasi u arrestua nga autoritetet, një gjykatë turke ka vendosur ta lirojë pastorin amerikan, Andrew Brunson, nga arresti shtëpiak.

Gjykata ka vendosur që Brunson të lirohet nga paraburgimi për shkak të kohës që tashmë ai ka shpenzuar në arrest, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Ky vendim i gjykatës për të hequr kontrollet gjyqësore do të thotë se tani pastori amerikan mund të kthehet në Shtetet e Bashkuara.

Ai është akuzuar për terrorizëm pas përpjekjes së grusht shtetit të dështuar  që u zhvillua në Turqi gjatë verës së vitit 2016.

Grusht shteti i cili synonte rrëzimin e pushtetit u nisa nga ushtria turke në një operacion të koordinuar në të gjithë vendin.

Detajet rreth kësaj ngjarje mbeten ende të paqarta, por si pasojë, më shumë se 50,000 njerëz janë arrestuar në muajt që pasuan.

Brunson ishte njëri nga amerikanët e akuzuar për komplot për të përmbysur qeverinë. Nëse ai do të shpallej fajtor, Brunson mund të ishte dënuar me 35 vjet burgim.

Pastori ka qenë arsyeja e thellimit të tensioneve diplomatike midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke rezultuar edhe në vendosjen e sanksioneve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme