Nga viti i kaluar 15 raste të dyshuar për vepra korruptive, ndaj 13 personave janë gjykuar në gjykatat në vend, raporton Ekonomia Online. Këta 13 persona i përkasin profilit të lartë. Për tetë prej tyre gjykatat kanë marrë vendim, katër u dënuan e katër të tjerë u liruan.
Dënimet e shqiptuar ndaj të dyshuarve për këtë vepër penale sipas monitorimit të këtyre rasteve po del se janë minimale.
Genc Nimoni, nga Çohu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dënimet që po shqiptojnë gjykatat në këto raste mund të konsiderohen edhe qesharake, ngase ato sillen nga 1 vit burg me kusht e gjoba minimale deri në 1500 euro.
Ai përmendin rastin e dënimit të dy ish-ministrave të kulturës, e kjo sipas tij, tregon se institucionet nuk janë duke bë mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.
“Në vitin e fundit të monitorimit të rasteve të korrupsionit janë diku një 15 raste të profilit të lartë prej tyre janë të përfshirë 13 zyrtarë të lartë. Ndërsa nga këto raste për tetë është vendos, nga këta tetë që është vendos katër janë shpall fajtor, ndërsa katër janë pushu dhe janë liruar. Ndërsa nga këta katër që janë shpallë fajtor kemi dënime minimale. Do të thotë ndaj dy ish-ministrave Valton Beqiri dhe Astrit Haraqija kemi dënime qesharake do të thotë janë dënime me nga një vit burg mirëpo me kusht nuk do të ekzekutohen fare. Ndërsa ndaj një kryetari të komunës se komunitetet serb kemi një dënim minimal 1500 euro, një tjetër është lirua fare. Do të thotë kjo është rezultati prej monitorimit tonë. Unë konsideroj prapë se nuk jemi tu bo mjaftueshëm në luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, sqaroi Nimoni.
Sipas Nimonit, shqetësuese është fakti se në shumë raste prokuroritë kanë hedhur poshtë një numër të madh të këtyre rasteve. Sipas të dhënave që Çohu posedon vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë hedhur 55% e rasteve të korrupsionit.
“Shqetësuese numri i madh i rasteve të lëndëve të hedhura poshtë edhe të pushuara. Vetëm në bazë të raportit të fundit, tremujorit të parë të vitit 2017 të Këshillit Prokurorial, të Komisionit Mbikëqyrës të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar atëherë figuron se 55% e rasteve të korrupsionit hedhen poshtë dhe pushohen”, u shpreh Nimoni nga Organizata Çohu.
Ai ka përmendur disa nga rastet kur qysh në shqyrtimin fillestar janë pushuar hetimet, do të thotë ende pa filluar porcesi ka pushuar ndjekja e zyrtarëve të lartë nën dyshimet për keqpërdorim detyre e korrupsion.
“…unë ju marr si shembull tre raste të profileve të larta kanë rezultuar në pushim do të thotë në mos ndjekje të tyre, rasti ndaj Lutfi Hazirit,ndaj kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri dhe gjithashtu ish-ministrit të arsimit Ramë Buja. Që të tre këto raste janë hedh qysh në shqyrtimin fillestar, do të thotë kemi mungesë të rezultateve konkrete apo ndoshta më mirë me thanë vetëm spektakle për sy ndërsa jo rezultatet konkrete”, tha ai.
Lufta kundër kësaj dukurie është caktuar nga BE si kusht për liberalizimin e vizave. Ai vlerëson se Kosova ende mbetet larg përmbushje së këtij kriteri.
“Ne të gjithë jemi dëshmitar se si kemi problem me korrupsionin në Kosovë në veçanti me korrupsionin e nivelit të lartë. Ajo që kemi identifikuar ne si organizatë është se nuk kemi rezultatet e pritura nga institucionet në luftim të korrupsionit të nivelit të vetëm fillim të ndjekjes për profile të larta dhe jo rezultate konkrete. Ne ende kemi mbetur larg sa i përket këtij kriteri edhe pse ka rekomandime pozitive nga vet Bashkimi Evropian”, tha Nimoni, raporton EO.
Nimoni vlerëson se spektakël po ndodh sa i përket luftimit të kësaj dukurie, spektakli ndodh në prokurori me ngritje të aktakuzave dhe pushim të hetimeve, thotë ai, ndërsa lëndët që shkojnë tutje në gjykata ndodh zvarritje dhe dënime të lehta.