Gjykatësi jashtë vendit, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj shefit të Urbanizmit në Novobërdë

Prishtinë | 06 Dhj 2019 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Për herë të dytë, ka dështuar të mbahet seanca, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës, Selatin Beqiri, i akuzuar për keqpërdorim detyre.

Në këtë rast, për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose i shenjave, akuzohet edhe Osman Ramadani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si shkak i dështimit të kësaj seance kryesore, ishte mungesa e kryetarit të trupit gjykues, Zyhdi Haziri.

Sipas njoftimit të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, nga administratorja e Gjykatës Themelore në Gjilan, Florina Jerliu, gjykatësi Haziri gjendet jashtë vendit me punë zyrtare.

Ndryshe, edhe seanca e 15 tetorit të këtij viti kishte dështuar të mbahet, për shkak të mungesës së prokurorit Isuf Sadiku.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Selatin Beqiri dhe Osman Ramadani, duke i ngarkuar ata me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përkatësisht veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri gjatë muajit shtator 2018, në Novobërdë, në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar detyrat zyrtare ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Bazuar në aktin akuzues, i akuzuari Beqiri ka shkelur legjislacionin, përkatësisht dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr.04L-110, në atë mënyrë që derisa i akuzuari tjetër Osman Ramadani shkon disa herë në zyrën e tij për të pranuar përgjigje për kërkesën e bërë për mbindërtim të objektit, i cili ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës dhe disa qytetarë ankohen në këtë komunë për shkak të këtij mbindërtimi, dhe pas pranimit të këtyre ankesave, drejtori i Inspekcionit në vend të ngjarjes më 1 nëntor 2018, vendos shirita në objektin e mbindërtimit në fjalë dhe i lëshon aktvendim për ndalimin e punëve.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Osman Ramadani vazhdon punimet për shkak të kohës e cila ishte me të reshura shiu, ndërsa pas 2 nëntorit 2019, ai merr lejen për mbindërtim me numër të vrojtimit 09-08-2018, pra data e lëshimit të kësaj leje është para se drejtori i Inspekcionit të merr aktvendim për ndalimin e mbindërtimit dhe shiritimin e tij.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Osman Ramadani, më 3 nëntor 2018, në kohë të papërcaktuar, në fshatin Pasjak të Novobërdës, pasi ka pranuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve me numër të protokollit 11 – 569, për objektin mbindërtim, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm.

Të ngjashme