Në gjykimin e të akuzuarve Besim dhe Blerim Maloku për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, u bë kundërshtimi i aktakuzës.
Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.
Prokuroria përmes aktakuzës po pretendon se natën e 9 marsit janë privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, njëri ndër ta Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj deklaroi se e kundërshton në tërësi aktakuzën, duke thënë që nuk ka prova të mjaftueshme.
Sipas kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të avokatit Ndrec Dodaj thuhet se Aktakuza është e ngritur vetëm në supozime, provat nuk tregojnë dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Besim Maloku i ka kryer veprat penale dhe as që ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Kemi të bëjmë me prova të dobëta në aspektin cilësor dhe sasior që e degradojnë çështjen penale, aktakuza është ngritur në bazë të një pohimi të dëshmitarit-të dëmtuarit”, thuhet në kundërshtimet e tij, transmeton Kallxo.com.
Ndërsa prokurori Agron Matjani, lidhur me kërkesën e hedhjes së aktakuzës nga mbrojtja e Besim Malokut, tha se këto pretendime janë të pabazuara, sepse aktakuza ka mbështetje në prova të mjaftueshme se i akuzuari Besim Maloku, ka kryer veprën penale të vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje.
Përfaqësuesi i aktakuzës, prokurori Agron Matjani tha se dy të akuzuarit janë munduar të tregojnë alibinë se gjatë kohës që është kryer vrasja kanë qenë në shtëpinë e tyre.
Mirëpo, Prokuroria si provë kryesore i merr për bazë deklaratat e dëshmitarëve të natës së ngjarjes, ndërsa mbrojtja i konteston duke thënë se janë vetëm pohime të pabazuara.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Blerim Maloku, avokatja Feride Xani tha se nuk i kundërshtojnë provat për të cilat është i akuzuar i mbrojturi i saj, pasi që edhe në seancën fillestare e ka pranuar fajësinë.
Gjyqtari i rastit Gëzim Pozhegu, tha se për këto kundërshtime, do të vendos me vendim të veçantë, me të cilin vendim do të njoftohen të gjitha palët.
Në gjykimin e kaluar të mbajtur në muajin dhjetor (2018), i akuzuari Besim Maloku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim Maloku e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.