Gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve-Prokuroria thotë se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve

Prishtinë | 23 Dhj 2024 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të hënën në gjykimin ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit është dhënë fjala hyrëse, me ç’rast prokurorja  Florije Salihu-Shamolli tha se do të vërtetohet se të akuzuarit në këtë rast kanë kryer veprat penale për të cilët janë akuzuar, ndërsa mbrojtja pretendojnë pafajësinë e tyre.

Fillimisht, fjalën hyrëse e ka dhënë prokurorja e rastit Florije Salihu-Shamolli, e cila theksoi se nga provat që pritet të administrohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, fjalën hyrëse e kanë paraqitur me shkrim edhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Në fjalën e tij hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku, avokati Artan Qerkini, theksoi se është e paqartë se si kjo prokurori pretendon se i mbrojturi i tij dhe të tjerët kanë qenë të organizuar për ndikim tek dëshmitarëve, duke shtuar se nuk është paraqitur se kush ishte organizatori.

Ndërsa, i akuzuari Lushtaku në fjalën e tij hyrëse deklaroi se prokurorja e këtij rasti duhet me pas guxim dhe të heqë dorë nga aktakuza.

“Mendoj se prokurorja duhet me pas guxim, se në çoftë se ka vepër penale në rregull, mirëpo me që nuk ka vepër penale duhet të ketë guxim të heqë dorë nga aktakuza…”, tha Lushtaku nër të tjera.

Po ashtu, edhe mbrojtësi sipas autorizimit zëvendësues për avokatin Arianit Koci, avokati Jeton Hasani për të akuzuarin Rrustem Rukolli, deklaroi në fjalën hyrëse se kjo aktakuzë është e padrejtë dhe se sipas tij, pretendime e prokurorisë janë të pabazuara ndaj klientit të tij.

Fjalën e avokatit Hasani e ka përkrahur i akuzuari Rukolli, duke shtuar se shpreson  që aktakuza ndaj tij do të hidhet poshtë.

Për të akuzuarin Rexhep Xhota, është deklaruar avokati i tij, Nebih Troshupa, i cili theksoi se mbeten me shpresë se pas administrimit të provave gjykata do të lirojë të mbrojturin e tij.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haxha, avokati Mahmut Halimi deklaroi se sa i përket veprës penale të krimit të organizuar në këtë dispozitiv, sipas tij, nuk ka asgjë që i përket kësaj vepre.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Skender Tahiri, avokati Nasuf Hasani, tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të cilën e ka dorëzuar me shkrim pranë kësaj gjykate, duke theksuar se përkrahë mbrojtësit e të akuzuarve tjerë.

Tutje, në fjalën hyrëse u deklarua edhe avokati Osman Mehmeti, për të akuzuarin Sheremet Jashari, i cili theksoi se prokuroria nuk ka asnjë provë inkriminuese për të mbrojturin e tij.

Fjalën e mbrojtësit të tij e ka përkrahur edhe vetë i akuzuari Jashari, i cili ndër të tjera tha se kjo prokurori nuk ka asnjë fakt për të dhe duhet që ta liroj nga kjo akuzë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Dibrani, avokati Petrit Dushi theksoi se përveç se kjo aktakuzë është e varfër për nga pjesa përmbajtjesore, e njëjta do të duhej që të kishte marrë epilogun e vet.

Në fund, për të akuzuarin Fatmir Mjaku, mbrojtësi i tij, avokati Amir Bunjaku deklaroi se në këtë seancë nuk është gati që të japë mbrojtjen pasi që i njëjti nuk është i pajisur me shkresat e lëndës.

Gjyqtari i rastit Valon Kurtaj seancën e sotme e ndërpreu për të vazhduar në një datë tjetër.

Për të akuzuarit Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve ishte veçuar procedura.

Për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.

Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “Pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.

Në këtë rast së bashku me të njëjtit ishin akuzuar edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka, Nexhib Shatri.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, gjykatësi Shashivar Hoti kishet aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku me Prokurorinë për pranimin e fajësisë ku e njëjta ishte dënuar me 3500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit. Tutje, Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.

Prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “Arratisje e personit të privuar nga liria”, “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe për “Pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”. Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal, akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani-Lushtaku, akuzoheshin për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria. Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzoheshin për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzoheshin për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzoheshin edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria. Kurse, Ylber Blakaj, Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, akuzoheshin për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. 

Të ngjashme