Gjykimi për korrupsion, mbrojtja thotë se zyrtari në Gjakovë është vënë në lajthim

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë është mbajtur seanca e shqyrtimit të dytë ndaj ish-zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Gjakovës, tani zyrtar i emergjencave në këtë komunë, Shkëlzen Ahmeti, i akuzuar për keqpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Meshari Selimaj ka kërkuar nga Gjykata që ta hedhë poshtë aktakuzën e ngritur ndaj klientit të tij.

“Bazuar në deklarimet e të pandehurit në procedurën hetimore në prokurori dhe polici, më tepër krijohet bindja apo përshtypja se në këtë rast kemi të bëjmë me një gjendje që mund të jetë ndryshe nga ajo që është e paraqitur në dipozitivë të aktakuzës. Bazuar në pretendimet e të mbrojturit tim mendoj se i njëjti është vënë në lajthim nga persona të caktuar apo person i caktuar, duke i mundësuar që pa dashje dhe padijeninë e tij të bëjë ndryshimin e dokumentacionit përkatës ashtu që ky veprim mund të arsyetohet edhe me një masë për shkak të punëve vuliminoze, që i ka zyra e gjendjes civile në Gjakovë”, deklaroi avokati Selimaj.

Gjithashtu, ai tha se i akuzuari në prokurori ka dorëzuar një faturë të energjisë elektrike që të merret si provë, mirëpo sipas tij, një provë të tillë nuk është përfshirë në aktakuzë.

Ndërsa, prokurori Ramiz Buzhala i ka propozuar gjykatës që kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit ta refuzojë si të pabazuar.

Ai shtoi se lidhur me pretendimet e të mbrojturit të të akuzuarit, se klienti i tij është vënë në lajthim nga ana e personit të caktuar apo personave të caktuar të panjohur, deri më tani, një pretendim i tillë, sipas prokurorit, nuk mund të qëndrojë pasi që mënyra se si veprohet në rastet kur paraqitet kërkesë për ndërrimin e vendbanimit dhe dokumentacionit të nevojshëm është e rregulluar me ligj.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu, deklaroi se lidhur me propozimet do të vendos me vendim të veçantë brenda afatit ligjor.

Ndryshe, i akuzuari Ahmeti ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 3 shtator të këtij viti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 28 maj 2019, Shkëlzen Ahmeti akuzohet se më 11 maj 2016, në Gjakovë, në cilësinë e zyrtarit në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjell dobi pasurore të kundërligjshme për vete apo të tjerët.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit nr.02/L-121 për vendbanimin dhe vendqëndrimin, personit të deri tani të panjohur N.N, në mënyrë të kundërligjshme pa ia verifikuar të dhënat ia vërteton të dhënat se gjoja quhet Bujar Vishaj, i lindur më 07/02/1971, dhe se është banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet, se i akuzuari personit të njëjtë po atë ditë ia lëshon ekstraktin, duke ia mundësuar që në ish-zyrën e regjistrimit civil, tani Q.P.D në Gjakovë, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, ndërsa më 16/5/2016, me pasaportë dhe patentë shoferë.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 para.2-1-2.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i njëjti më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, në dokumentin zyrtar, përkatësisht në ekstrakt, me nënshkrimin e tij si dhe vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar-ekstraktin, të cilat përmbajnë të dhëna të rreme për këtë person, i cili në mënyrë të kundërligjshme në zyrën e regjistrimit civil, tani Q.P.D në Gjakovë, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga  i pandehuri më 12.5.2016, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, ndërsa më 16/5/2016, me pasaportë dhe patentë shofer.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 para.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme