Në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Remzi Shala, në seancën e së premtes ka dhënë mbrojtjen e tij, ku ka thënë se si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk kishte vepruar në fshatin Duhël.
Shala, i njohuri si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë Haxhi Përteshin nga shtëpia e tij dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kurrë nuk kam qenë në fshatin Duhël, këtë fshat e ndan asfalti në dy pjesë”, ka thënë Shala.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Blerim Mazreku, Shala ka thënë se gjatë kohës së luftës ka qenë ushtarë i UÇK-së dhe se në ushtri është kyçur më 5 maj 1998.
Ai ka thënë se për t’u kyçur në ushtri, i kishte ndihmuar daja i tij Sami Kuçi, i cili kishte zgjeruar ushtrinë në fshatin Dobërdolan dhe se ka qenë ushtar deri në përfundim të luftës.
Në pyetjen e avokatit Mazreku se cilat kanë qenë detyrat e tij si ushtar, Shala ka thënë se ka qenë ushtar i thjeshtë dhe se nuk është marrë me popullatën civile.
“Unë jam kanë ushtar i thjeshtë dhe sulmues shumë i mirë dhe e kam kryer ushtrinë e Jugosllavisë, kam vrarë ushtarë, kam vrarë policë, nonstop kam sulmuar nuk jam marrë me popullatën civile, na nuk jena marrë me atë punë. Mua, babën e babës tem ma kanë vrarë shkjet t’u kositë, gjithmonë kam dashtë me u hakmarrë ndaj tyre me daljen e UÇK-së”, ka thënë Shala.
Ai ka mohuar faktin se si ushtar i UÇK-së të ketë pasur ndonjë detyrë tjetër, të intervistojë apo të bëjë ndonjë veprim tjetër dhe se detyrë e tij gjatë luftës ka qenë të veprojë në Grykë të Carralevës dhe në vende tjera kur kishte nevojë.
Tutje, Shala ka thënë se gjatë luftës ka pasur pseudonimin “Molla e Kuqe” si çdo ushtar tjetër i UÇK-së dhe se i njëjti ka qenë nën komandën e Fatmir Limajt dhe Ismet Jasharit apo Komandant Kumanovës.
I pyetur se a e ka njohur komandant Gurin, Shala ka thënë se në Luzhnicë e ka pritur atë, që të merrte udhëzime nga ai se si të vepronte.
Në deklarimin e tij, Shala ka thënë se anëtarët e familjes Përteshi nuk i ka parë asnjëherë dhe se të njëjtit i ka njohur në këtë shqyrtim gjyqësor.
Ndërsa, në pyetjen e prokurorit Haki Gecaj se a kishte shërbyer së bashku në njësi me komandant Gurin, Shala ka thënë se ka shërbyer vetëm për 3-4 ditë.
“Kam shërbyer vetëm 3-4 ditë, e ka formu ushtrinë ai, vetëm e ka mbajtë një mbeldhje në Dragaqinë me popullatën civile ku janë lajmëru diku 100 apo 120 ushtarë vullnetarë që qasaj pjese. Ndërsa, Ismet Jashari më ka dërgu mua afër Shtimes”, tha Shala.
Prokurori Gecaj ka ballafaquar të akuzuarin rreth deklarimeve të tij për veprimin e tij në Qafën e Dulës.
“Kjo deklaratë, kjo marrje në pyetje ka qenë me datën 14 prill 2016 dhe nëse më lejohet me ballafaqu të akuzuarin me një pjesë të deklaratës, ju sot thatë që me komandant Gurin keni vepru në Qafë të Duhlës rreth 3-4 ditë dhe në faqen 4 të procesvebalit në polici, në pasuesin e 6-të, në pyetjen e policisë sa keni qëndruar në Qafë të Duhlës ju atëherë jeni përgjigjur “në Qafë të Duhlës unë kam qëndruar rreth 4 muaj në vitin 1998” , jam i vetëdijshëm që ka kaluar një kohë, cila është e vërteta keni qëndru 4 ditë apo 4 muaj”, ka thënë prokurori Gecaj.
Lidhur me këtë, i akuzuari Shala ka thënë se në pjesën “Qafa e Duhlës” ka qëndruar 4-5 muaj, por që gjatë asaj kohe ka qëndruar në mal dhe ka shtuar se kurrë nuk ka qëndruar në fshatin Duhël.
Ai ka shtuar se në fshatin Dragaqinë ka shkuar në një darkë, por që nuk e di emrin e personit ku ka qenë.
I pyetur se ku ka vepruar si ushtar në fund të qershorit të vitit 1998, Shala ka thënë se nuk e di momentin kur pika e tyre në Shtime është thyer, në çfarë kohe apo cilin muaj.
Tutje, Shala ka thënë se komandant Guri nuk ka qenë kurrë eprori tij dhe se nga ushtarët kishte kuptuar që zëvëndës i tij ishte një person me emrin Mefail.
Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Asdren Hoxha, i akuzuari Shala ka mohuar faktin se ka qenë i caktuar të veprojë 4 ditë në mal të fshatit Grajqec dhe pastaj afër Shtimes.
Avokati Hoxha ka ballafaquar të akuzuarin Shala me deklaratat e tij rreth takimeve me Ismet Jasharin.
“Në deklaratën e dhënë në prokurori në faqen 4 në pasuesin e 7 vijues keni deklaruar “në ndërkohë në Grajqevc ka ardhur Ismet Jashari komanadant Kumanova…unë pas këtij tubimi iu kam bashkangjitur përsëri vendit ku isha duke shërbyer së bashku me Fetah Gegën dhe Mehmet Lumin”. Në deklaratën në fjalë, keni thënë se Ismet Jashari ka ardhë pikërisht në Grajqec dhe keni shku në tubim pas tubimit vet keni thënë se jeni kthyer prap në pozicion të njëjtë ku keni qenë duke shërbyer së bashku me Fetah Gegën dhe Mehmet Lumin, së pari a keni deklaruar kështu para prokurorit, cila është e vërteta ajo që thoni sot se e keni takuar kur ju, ka sjellur bukë në Shtime apo ajo që keni deklaruar në prokurori se ka ardhur në Grajqec në pozicione luftarake”, ka thënë Hoxha.
Për këtë, i akuzuari Shala ka thënë se e vërteta është ajo që ka deklaruar sot dhe ka refuzuar të përgjigjet më tutje ndaj pyetjeve të avokatit Hoxha.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtaëve të trupit gjykues, gjykatësve Luan Berisha dhe Fatmir Krasniqi, i akuzuari ka thënë se detyrat e tij kanë qenë vetëm veprime ushtarake dhe se të ndjerin Haxhi Përteshi nuk e ka njohur.
Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 2 dhe 19 dhjetor 2022.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.
Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.
Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.
Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.
Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.
Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.