Numri i madh i lëndëve të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës, vazhdon të jetë një problem, të cilin sistemi i drejtësisë nuk po mund ta tejkalojë për vite të tëra, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Autoritetet kompetente thonë se problem për këtë çështje, paraqet mungesa e llogaridhënies dhe papërgjegjësia e gjyqtarëve.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se gjyqtarët në gjykata të caktuara nuk e kanë përmbushur normën e lëndëve, të cilat është dashur të përfundojnë, andaj, sipas tij, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i madh.
“Janë dikur rreth 400 mijë lëndë. Prej tyre 200 mijë janë për kundërvajtje. Diku i bie që rreth 200 mijë lëndë janë penale, civile dhe të çështjeve tjera”, tha Idrizi.
Për dallim nga gjykatat e tjetra të Kosovës, ajo Themelore në Prishtinë është më e ngarkuar, nënvizoi ai.
Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se janë dy arsye që kanë ndikuar në moszgjidhjen e një numri të madh të lëndëve në gjykata.
Arsyeja e parë, sipas tij, është mospërkrahja e duhur për sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Kurse e dyta, është mungesa e llogaridhënies.
Ndryshe, korrupsioni në gjyqësi, mosefikasiteti, grumbullimi i lëndëve, ngadalësimi në reforma – janë vetëm disa nga kritikat më të shpeshta që i janë bërë sistemit të drejtësisë edhe gjatë vitit 2016 nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.
Vetë udhëheqës të këtyre mekanizmave kanë thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të mëdha.
Ata kanë thënë se pavarësisht punës së bërë gjatë vitit 2016, nuk do të thotë se është bërë sa duhet për të kthyer besimin e duhur të qytetarëve në gjykata e prokurori.