Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ka mbajtur shqyrtimin e fundit gjyqësor ku në kolegj, kanë qenë edhe gjyqtarët e EULEX-it.
Rasti ka të bëjë me një padi që Servete Pasha, ia ka bërë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kompensimin e pagave të bashkëshortit të saj të ndjerë, që kishte punuar në Ndërmarrjen Shoqërore, Boksitet e Kosovës.
Përfaqësuesi ligjor, ka kërkuar nga Kolegji Gjyqësor i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme që t’i kompensojë pagat në vlerë prej mbi 40 mijë euro, për periudhën nga 1999 deri në vitin 2010. Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i AKP-së, Naim Gjigoli, ka kërkuar që padia të hudhet si e pabazuar.
Vendimi do të merret në shqyrtim jashtë gjyqësor.
Në fund kryesuesi i kolegjit Behxhet Muçiçi, ka falënderuar gjyqtarët e EULEX-it për punën e bërë duke thënë se kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Gjyqtari i EULEX-it Vitoll Jakumka, ka falënderuar të gjithë stafin e dhomës, duke u shprehur i kënaqur me punën e bërë. Ai përmbylli fjalimin me fjalët “zoti ju bekoftë ju dhe vendin tuaj”.