Gjysma e buxhetit në udhëtime zyrtare – kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës tregon si i gjeti zyrat e zbrazura

Prishtinë | 01 Nën 2023 | 14:34 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar Raportet vjetore financiare të Autoritetit të Konkurrencës (AK) për vitin 2022, raporton Ekonomia Online. Kryetarja e AK-së Neime Binaku-Isufi, tha se pasqyrat financiare i përmbushin të gjitha obligimet raportuese që dalin nga Ligji për Menaxhimin Financiar për financa publike dhe përgjegjës të plotësuar dhe ndryshuar me ligjet e tjera.

“Pasqyrat financiare të cilat i keni të bashkangjitura për vitin e përfunduar me 31 dhjetor, 2022 janë përgatitur sipas standardëve ndërkombëtare të kontabilitetit të sektorit publik dhe raportimit financiar sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme. I përmbushin të gjitha obligimet raportuese që dalin nga ligji për menaxhimin financiar për financa publike dhe përgjegjës të plotësuar dhe ndryshuar me ligjin dhe janë të bazuara në shënimet financiare të mbajtura në mënyrë të duhur”, tha ajo.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se puna me ushtruesen e detyrës të drejtorit gjeneral të AK-së, për një kohë të gjatë ka shfaqur probleme. Ai pyeti se pse është lënë kjo pozitë për një kohë aq të gjatë me ushtrues detyre.

“Çështja e parë, funksionimi i pozitave të larta udhëheqëse, ushtrues detyre, gjetja ka qenë se drejtori AKK-së funksion me ushtrues detyre. Kjo ka shfaqur problem, sepse mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë rrit rrezikun e mosarritjes së objektivave dhe përformancës, apo përgjegjësia e realizuar në këto pozita mund të mos jetë në nivelin e duhur. Pse keni lënë pozitën e drejtorit në këtë gjendje”, pyeti ai.

Kryetarja e AK-së tha janë brenda afateve ligjore për këtë pozitë.

“Po, është e vërtetë që ne kemi qenë në një kohë prej vitit të kaluar, korrik jemi me ushtrues detyre për drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit të Konkurrencës, por për njoftimin tuaj jemi në proces që kemi hap konkursin për të legalizuar pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Konkurrencës. Ne mendojmë se jemi brenda afateve ligjore”, tha ajo.

U.d. drejtori i Përgjithshëm Selajdin Beqa, tha se pavarësisht që janë me ushtrues detyre, kanë bërë aktivitet të jashtëzakonshme dhe e kanë rritur mbi 500 për qind punën e AK-së.

“Nga ardhja e komisionit të ri, në qershor të viti 2022 e deri më tani janë me dhjetar vendime, mos t’i afrohemi 50. Kemi aktivitete të jashtëzakonshme, kemi hapur hetime të mëdha në sektor të ndryshëm që kanë impakt direkt tek qytetarët. Jemi duke punuar në analiza të ndryshëm, ën sektor të ndryshëm, dhe kemi rritur mbi 500 për qind punën e Autoritetit të Konkurrencës para gushtit të 2022”, tha Beqa.

Deputeti Lekaj, ka pyetur edhe për shpenzimet e buxhetit, ku sipas tij, AK-ja ka dështuar në menaxhim pasi nuk ka arritur shpenzoj 26 për qind të buxhetit për një vit.

“Në vitin 2022 AKK ka shpenzuar 74.4 për qind të buxhetit final, ose 257 mijë e 857 euro. Pse keni shpenzuar kaq të buxhetit total, a mendoni se është dështim në menaxhimin nëse nuk arrini ti shpenzoni 26 për qind të buxhetit për një vit”, pyeti Lekaj.

Zyrtari kryesor financiar, Arsim Ternava, tha se kjo nuk ka të bëjë me dështim.

“Nuk kemi të bëjmë me dështim ne kemi pas një buxhet në kategorinë e shpenzimeve komunale prej 14 mijë euro dhe duke qenë në objektin e ish bankës së Lubjanës, të gjitha shpenzimet të rrymës, ujit, mbeturinave i paguan MPB-ja, institucionit i mbetet të paguaj vetëm shpenzimet e telefonisë fikse. Nuk jemi fajtor ne. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që ajo shifër të zbritet, por pse thesari nuk e ka zbritur është çështje e tyre. Tash më në fund e kanë përmirësuar atë gabim, dhe ën buxhetin e vitit 2023 i kemi vetëm 2 mijë euro në kategorinë e shpenzimeve komunale”, tha Ternava.

Deputeti i VV-së Eman Rrahmani, parti kritika pasi mbi 50 për qind të buxhetit ky institucion, sipas tij, e ka shpenzuar vetëm në udhëtime zyrtare.

Sipas tij, ky është institucioni i vetëm në vend që ka shpenzuar këtë buxhet për këto kategori.

“Tek udhëtimet zyrtare nëse sheh tabelën e mallrave dhe shërbimeve mbi 50 për qind po i bie që janë udhëtime zyrtare, akomodim dhe dreka zyrtare. Nuk ka asnjë institucion në Republikën e Kosovës që ka këtë statistikë. Deri sot në Kuvend nuk ka ardh një institucion me përqindje kaq të madhe të shpenzimeve në këto kategori. Për mua është shqetësuese, në bazë të saj duke qenë kaq staf i vogël nuk e di edhe kush mbetet të punojë këtu. Në këtë raport kjo statistikë është e gabueshme”, tha ai.

Ternava tha se nuk është 50 për qind e buxhetit për këto kategori, por sipas tij, i bije 40 për qind.

“Me 56 mijë euro totali i mallrave dhe shërbimeve në boten e jashtme janë shpenzuar 24 mijë euro që i bie 40 për qind dhe jo 50, pajtohem që është përqindje e madhe”, tha ai.

E kryetarja e AK-së tha se në momentin që ka shkuar në zyrë pas përzgjedhjes, e ka gjetur zyrën të zbrazur pasi, sipas saj, i tërë stafi ishte në udhëtim jashtë vendit.

Për këtë ajo tha do të këtë një rishikim në mënyrë që të shkohet vetëm në udhëtimet që janë me rëndësi, raporton EO.

“Ne si komision kemi ardh që nga korriku i vitit të kaluar, 2022 përfshinë gjashtë muaj, punë efektive jemi prej korriku. Këto vizita që kanë ndodhur në Estoni, Letuani, Austir, kanë qenë të planifikuara para se me ardh ne. Kur kam ardh në AK të gjithë kanë qenë në udhëtim zyrtar, unë kam shkuar vet, askush nuk më ka thirr, një javë pasi jam votuar prej Kuvendi, më thanë duhet me shkuar. Shkoj te dera, askush nuk ma hap derën dhe aq u ndjeva keq sa nuk di ta shpjegoj, dhe pas gjysmë ore del zyrtari Arsimi dhe nuk dija as si te prezantohem dhe më thanë që gjithë zyrtaret tjerë janë në udhëtim”, tha ajo.

Të ngjashme