Gjysma e parë e 2020-s me më së shumti vdekje për Suedinë në 150 vjetët e fundit

Prishtinë | 19 Gus 2020 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Gjysma e parë e vitit 2020 ka qenë gjysmëviti me më së shumti vdekje në Suedi në 150 vjetët e fundit, ka njoftuar Zyra e Statistikave në këtë shtet të mërkurën.

Në total, në periudhën janar-qershor në Suedi vdiqën 51405 persona, shifra më e lartë ndonjëherë që nga viti 1869, kur kishin vdekur 55431 persona si pasojë e krizës ushqimore. Popullata e Suedisë në atë kohë ishte 4.1 milionë banorë, ndërsa tash ka 10.3 milionë.

Të dhënat zyrtare kanë treguar se COVID-19 ka marrë jetën e rreth 4500 personave më 2020 deri në fund të qershorit – me shifrat që kanë shkuar në 5800 deri tash, raporton Reuters.

Shifrat e vdekjeve ishin 10 për qind më të larta se mesatarja e periudhës së njëjtë në pesë vjetët e fundit. Prilli shënoi rritje prej 40 për qind të vdekjeve në krahasim me mesataren e viteve të shkuara.

Suedia fillimisht kishte pasur qasje tjetër në krahasim me shtetet evropiane në përballjen me pandeminë e koronavirusit, duke lënë masa më të lehta. Shumica e shkollave kishin mbetur të hapura e bizneset funksiononin normalisht, por shifrat e rasteve të reja dhe vdekjeve nisën të ngrihen në muajt e fundit.

Deri tash në Suedi janë regjistruar rreth 85 mijë raste me COVID-19.

Të ngjashme