Në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë pas dhjetë ditësh pushim dimëror, ka nisur gjysmëvjetori i dytë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i kësaj shkolle Bekim Sylejmani tha se mësimi ka filluar sipas plan-programit dhe se gjithçka po zhvillohet normalisht.
Ai më tej ka shtuar se mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike dhe sa masat po respektohen. Sipas tij, tashmë janë mësuar me menaxhimin e pandemisë.
“Janë bë dy vite dhe tashmë e kemi të lehtë me menaxhuar situatën sepse jemi mësuar më sfidën e pandemisë”.
Po ashtu ai tha se 99% e stafit janë të vaksinuar, por në të njëjtën kohë edhe fëmijët të cilët janë mbi moshën 12 vjeç.
“Tani po vazhdojmë me skenarin A me prezencë fizike, dhe tani më edhe fëmijët, mësimdhënësit dhe ne si shkollë po mundohemi t’i zbatojmë masat anti-Covid me përpikëri. Por 99% e stafit tanimë është vaksinuar, por kemi edhe fëmijët që janë të vaksinuar të cilët janë mbi 12 vjeç”.
“Për momentin nuk ka ndonjë problem, por të shohim më tutje. Të gjithë akteret e shkollave janë idhëtar të mësimit me prezencë fizike, sepse mësimi online apo në distancë i ka vështirësitë e veta dhe natyrisht ka probleme të cilat shfaqen gjatë rrugës”.
“Ministrja ka deklaruar ashtu siç është udhëzuesi. Ne kur kemi filluar mësimin me prezencë fizike kemi filluar në bazë të udhëzuesit, i cili i parasheh të gjithë skenarët e mundshëm. Varësisht nga shkollat, komunat dhe rastet atëherë mund të kalohet nga A me prezencë fizike në mësim të kombinuar ose të ndarë në grupe ose edhe online”.
Ministrja e Arsimit të dielën ka bërë të ditur se procesi mësimor duhet të zhvillohet me prani fizike, ndërkaq tha se në disa raste mund të shfrytëzohen edhe skenarët e tjerë.
“Nëse në ndonjë prej shkollave ka rritje të rasteve pozitive me Covid-19, procesi mësimor do të vazhdohet sipas skenarëve, përfshirë mësimin nga distanca, apo me numër të kufizuar të nxënësve, varësisht se si përcaktohet nga Task-Forcat në nivel komune”, thuhet në njoftimin e ministrisë.