Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka falenderuar Ministren e Jashtme të Spanjës në një postim në Twitter, pasi kjo e fundit shpërndau lajmin për heqjen e pjesshme të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnjes për lëndën e parë nga ana e qeverisë së Kosovës.
Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzles e cilësoi si hap në drejtimin e duhur, vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr pjesërisht tarifën për lëndën e parë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Ndaj këtij postimi të Ministres së Punëve të Jashtme të Spanjës, ka reaguar Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca duke falenderuar Spanjën për mbështetje.
“Faleminderit, Spanjë për përkrahjen tuaj. Kosova mbetet falenderuese për bashkëpunimin tuaj. Ne shprehim solidaritetin tonë me popullin spanjoll përball pandemisë së koronavirusit”, ka shkruar Konjufca.
Kujtojmë se Spanjë është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian së bashku me Slovakinë Rumaninë, Greqinë dhe Qipron që akoma nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.