Prodhuesi ndërkombëtar i çimentos “Sharrcem” ishte bërë anëtar i Grupit “Titan Cement” në vitin 2010, si pjesë e procesit të privatizimit në Kosovë dhe nga atëherë deri më tani është një nga investitorët më serioz në vend.
Kështu thotë drejtori i kësaj fabrike, Thomas Glavas, i cili bën të ditur se në shtatë vitet e fundit janë investuar mbi 45 milionë euro shtesë.
“Përveç kostove fillestare të blerjes, gjatë shtatë vjetëve të fundit janë investuar 45 milionë euro shtesë, një pjesë e mirë e të cilave i është kushtuar përmirësimit të gjurmëve tona mjedisore”, ka thënë ai.
Pos kësaj, Glavas ka theksuar se kompania “Sharrcem”, pos që i përmbush plotësisht standardet evropiane të mjedisit, ajo i tejkalon standardet e legjislacionit të Kosovës për një mjedis të pastër.
“Titan Cement”, pjesë e të cilit është “Sharrcem”, është prodhues ndërkombëtar i çimentos dhe i materialeve të ndërtimit me një përvojë mbi 110-vjeçare. Kjo kompani operon në 14 fabrika në 10 shtete, duke punësuar më shumë se 5 500 veta në mbarë botën.