Departamenti i Drejtësisë nuk ka gjetur ndonjë dëshmi për mashtrim në zgjedhjet në ShBA

Prishtinë | 01 Dhj 2020 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, një nga aleatët kryesor të Donald Trumpit, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë nuk ka gjetur dëshmi për mashtrim në zgjedhjet presidenciale në SHBA të këtij viti.

“Deri më tash, ne nuk kemi pasur ndonjë mashtrim në shkallën që do të mund të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve”, ka thënë Barr.

Komentet e tij kanë ardhur ndërsa Trumpi nuk po e pranon humbjen.

Ai dhe ekipi i tij kanë ngre disa padi në shtete të cilat i ka humbur, ndërsa Joe Biden është projektuar fitues i zgjedhjeve dhe ka caktuar madje edhe ekipin e tij.

Që nga dita e zgjedhjeve më 3 nëntor, Trump, ka bërë akuza të vazhdueshme të pabaza për mashtrim masiv në zgjedhje, dhe anëtarët e ekipit të tij ligjor kanë folur për një komplot ndërkombëtar për t’i dhuruar fitoren Bidenit.

Barr për agjencinë AP ka thënë se kishte një pretendim se makinat e zgjedhjeve janë hakuar për t’i dhënë më tepër vota Bidenit.

Por Barr ka shtuar se Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Sigurisë së Vendit kanë hetuar këto pretendime dhe deri më tash nuk kanë gjetur asgjë për të mbështetur këtë.

Duke reaguar ndaj deklaratave të Barrit, avokatët e ekipit të Trumpit, Rudy Giuliani e Jenna Ellis, në një deklaratë të përbashkët kanë thënë: “Me respektin më të madh për Prokurorin e Përgjithshëm, opinioni i tij duket se është pa njohuri apo hetim për parregullsitë dhe dëshmitë për mashtrimin sistematik”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme