Jemeni, i goditur nga lufta, shënon rekord të viktimave me Coronavirus për 24 orë

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet në Jemen kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara janë shënuar 44 viktima të Coronavirusit. Kjo ishte shifra më e lartë ditore e të vdekurve në shtetin e përfshirë në luftë civile që nga fillimi i përhapjes së virusit.

Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Jemen shkoi në 208, shkruan “Anadolu”.

Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënua numër rekord i infektimeve me 116 raste të reja. Shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 844 persona. Deri më tani, vetëm 79 persona janë shëruar.

Shifrat e reja janë më të lartat që janë shënuar në zonat e kontrolluara nga qeveria prej datës 10 prill, kur ishte regjistruar rasti i parë.

Jemeni është përfshirë nga një konflikt që doli nga kontrolli në mars të vitit 2015, kur rebelët e përkrahur nga Irani e morën kryeqytetin Sanaa dhe e detyruan presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi që të largohej nga vendi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme