Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se ka kërkuar ndër vite fillimin e një procesi vetingu në sistemin e drejtësisë, me qëllim që të largohen elementet e kapjes mbi të, duke garantuar kështu që figura e gjyqtarëve dhe prokurorëve i nënshtrohet parimeve të profesionalizmit, integritetit, pastërtisë së pasurisë e të kaluarës.
GLPS ka reaguar pasi së fundmi, Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria kanë vendosur të ndalin procesin dizajnimit të vetingut, “duke shpikur kështu një proces kinse të reformës në sistemin e drejtësisë në vend të vetingut të gjyqtarëve e prokurorëve”.
GLPS vlerëson që një tendencë e tillë e Qeverisë është pa diskutim e gabuar, dhe do të sjell më shumë mjegull sesa qartësi në lidhje me nevojën për një veting ndaj gjyqtarëve e prokurorëve në Kosovë.
“Siç është theksuar në dhjetëra raporte ndërkombëtare e vendore, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka probleme serioze me mekanizmat e përgjegjësisë, në shumë raste, probleme serioze me figurën dhe pastërtinë e gjyqtarëve e prokurorëve te caktuar dhe drejtuesve të sistemit, dhe në kuptimin statistikor, ka probleme serioze me performancën në raport me dënimin e figurave të larta të krimit të organizuar e korrupsionit politik. Fakti që ende nuk ka një numër dënimesh serioze ndaj figurave të larta të krimit të organizuar e korrupsionit është tregues i mjaftueshëm për defektet dhe cilësitë e munguara që janë prezente në sistemin e drejtësisë”, thuhet në një reagim të kësaj organizate.
GLPS thekson se në vazhdimësi ka argumentuar që rrënjët e dukurive të tilla nuk janë të lidhura me organizimin, strukturat, apo faktorët infrastrukturor ligjor. “Ato janë para së gjithash të lidhura me figurën, guximin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që ndjekin e gjykojnë këto raste gjyqësore”.
“Rrjedhimisht, një proces vetingu në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë një reforme serioze në fushën e sundimit të ligjit. GLPS beson që hisedarë të këtij procesi, dhe bartës praktik të tij, nuk mund të jenë ata që duhet t’i nënshtrohen vetingut. Plani i Ministrisë së Drejtësisë që të dizajnoj – pa asnjë nevojë – një reformë në sistemin e drejtësisë me figurat e larta të vet këtij sistemi është paradoks dhe tautologji. Si mund t’i lësh në dorë dizajnimin e një procesi të tillë atyre që duhet thirrur në përgjegjësi për këtë gjendje? Apo mos Qeveria dëshiron që përmes kinse reformave t’i mbrojë ata që duhet të thirren në përgjegjësi për këto dështime?”
GLPS i kërkon Qeverisë që të fus në agjendë primare të saj një proces vetingu që do të kishte për qëllim kontrollin e përshtatshmërisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sa i përket pastërtisë, profesionalizmit dhe të kaluarës së tyre.
“Një proces i tillë do të duhej dizajnuar në formë të tillë që elementi ndërkombëtar, konsensusi politik dhe garanci t forta ligjore për paanshmëri e pavarësi të trupave vetues të ishin emëruesit e përbashkët të tij. Asgjë më pak sesa kjo nuk është e pranueshme. Çdo tendencë për të dizajnuar një kinse reformë tjetër është qartazi e qëllimshme për t’i ofruar mbrojtje papërgjegjësisë dhe inkriminimit të figurave brenda sistemit të drejtësisë”.
Në fund GLPS i kërkon kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, që të reflektojnë mbi këtë thirrje dhe të mos lejojnë degradimin e mëtejshëm të nevojës serioze për një veting substancial në sistemin e drejtësisë.