Pajtim Kasami ka shënuar gol me asistim të Ermir Lenjanit në fitoren që Sioni e shënoi përballë Zuerichut me rezultatin 2:1. Kasami shënoi golin e parë në minutën e 71-të të ndeshjes së zhvilluar të dielën, e që i takoi javës së 14-të të Superligës zvicerane. Kasami luajti deri në fund, kurse Lenjani u zëvendësua në minutën e 77-të.
Te Zuerichu titullar ishin dy futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli. Ky i fundit u zëvendësua në minutën e 59-të. Në stol te Zuerichu ishin edhe dy futbollistët e tjerë shqiptarë, Toni Domgjoni dhe Mirlind Kryeziu, shkruan sot “Koha Ditore”. Mirlindi, Hekurani dhe Benjamini të hënën (sot) pritet t’i bashkohen Kosovës në grumbullim për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, kundër Maltës dhe Azerbajxhanit.
Gol të dielën në Superligën e Zvicrës ka shënuar edhe Nedim Bajrami. Bajrami shënoi në minutën e 59-të në fitoren 3:2 të Grasshoppersit përballë Xamaxit. Te Grasshoppersi titullar ishte edhe Arlind Ajeti, kurse Bujar Lika dhe Gjelbrim Taipi ishin në stol.
Te Xamaxi titullar ishte Kemal Ademi. Ademi u zëvendësua nga Liridon Mulaj në minutën e 71-të, derisa nga fillimi i pjesës së dytë luajti edhe Samir Ramizi. Arbnor Fejzullahu qëndroi në stol. Në humbjen e Baselit nga Thuni, të shtunën, golin e dytë e shënoi Albian Ajeti. Thuni fitoi 4:2. Ajeti shënoi në minutën e 28-të për 2:0, por më pas Thuni shënoi katër gola për ta fituar takimin. Ajeti dhe Taulant Xhaka luajtën deri në fund të takimit për Baselin.