Aplikacioni më i ri i Google për mesazhet, Allo, ka shënuar majën e grafikut të aplikacioneve më të shkarkuara në Play Store, dhe kjo në ditën e tretë të lançimit të tij ku numëroi më shumë se një milionë shkarkime gjithsej.
Aplikacioni ka marrë komente të ndryshme, me shumë që vlerësuan cilësinë e asistentit të inteligjencës artificiale dhe të tjerë që kritikuan cilësinë e sigurisë së përdorimit të aplikacionit.
Sipas Google Play Store, Allo ka një vlerësim prej 4.2 nga 5 për versionin e tanishëm, dhe renditet në grupin e një – pesë milionë shkarkimeve.
Ndërkohë që edhe aplikacioni tjetër i Google i lançuar para pak ditësh, Duo duket se po ecën po kaq mirë, pasi ka marrë mbi 5 milionë shkarkime brenda javës së parë.
Përsa i përket iOS, Apple nuk e tregon numrin e shkarkimeve por ai renditet në vendin e 15 në aplikacionet falas më të shkarkuara aktualisht, menjëherë pas WhatsApp.
Allo shërben edhe si asistent Google, ku mund të realizoni kërkime, të luani lojra, të bisedoni me boti-n, të memorizoni gjëra, etj.