Kompanitë teknologjike janë nxitur që të ndalojnë reklamat për personat nën tetëmbëdhjetë vjeç. Kjo është bërë nëpërmjet një letre që e kanë nënshkruar deputetët e Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe nga avokatët e të drejtave të fëmijëve, raporton televizioni britanik BBC.
Në letër është thënë se fëmijët nuk duhet të ndiejnë presionin reklamues në uebfaqet e platformave sociale. Aty kërkohet gjithashtu që të mendohet për pasojat me të cilat mund të përballen të miturit nga ekspozimi i reklamave.
Shqetësimi u është adresuar Googlet, Amazonit, Applet, Facebookut dhe Microsoftit. Në një vendim tjetër, kompania që ka në pronësi YouTuben, Google, është akuzuar se padrejtësisht po minon të dhënat e pesë milionë përdoruesve nën moshën 13-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar. Ligjet evropian për mbrojtje të të dhënave ndalojnë minimin e të dhënave të fëmijëve.
“Fakti se kompanitë teknologjike reklamuese mbajnë të dhënat e 72 milionë përdoruesve dhe mund t’ua ekspozojnë ato fëmijëve nën 13 vjeç tregon për përmasat e mospajtimit me këto ligje, dhe shkallën e jashtëzakonshme të përgjimit, së cilës i nënshtrohen fëmijët”, thuhet në letrën të cilën e ka parë ekipi i BBC-së. “Nuk ka justifikim për të shënjestruar tinejxherët me reklama të personalizuara kur ata janë vetëm 12 vjeç”, thuhet në letër.
“Ju, kompanitë më të fuqishme të internetit, keni përgjegjësi për mbrojtjen e përdoruesve tuaj”.
Në mesin e 23 nënshkruesve janë edhe deputetja Caroline Lucas dhe psikologja klinike, Elly Hanson. “Friends of the Earth” gjithashtu kanë nënshkruar dokumentin. Ky projekt ishte nisur nga “Global Action Plan”, që konsideron se reklamimi online përshkallëzon konsumerizmin, dhe se reklamat janë panevojshëm presion për planetin.
Të gjitha kompanive u është kërkuar qëndrimi lidhur me përmbajtjen e letrës, por asnjëra prej tyre nuk ka dashur të komentojë. Avokati i të drejtave të privatësisë, Duncan McCann, ka paditur Googlen në emër të pesë milionë fëmijëve nga Britania e Madhe, me pretendimin se ka shkelur ligjet e privatësisë, duke shënjestruar fëmijët nëpërmjet internetit në kundërshtim me ligjet britanike dhe evropiane të të drejtave të mbrojtjes së të dhënave.
McCann, që i ka tre fëmijë nën 12 vjeç, ka thënë se secili fëmijë duhet të kompensohet nga 200 deri në 500 sterlina britanike për dëmin që ia kanë shkaktuar reklamat.