sh-ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, deklaroi serbët e Kosovës nga qeveria e re të cilën me siguri do ta drejtojë Albin Kurti në radhë të parë presin që në Kosovë të sundojë paqja, të mos ketë kërcënime të ndërsjella, që më në fund të nisë lufta kundër krimit të organizuar që është bërë i padurueshëm, jo vetëm në veri, ku ai jeton, por edhe në gjithë Kosovën.
Në emisionin “Ura” të Radio Evropës së Lirë në gjuhën serbe, ai tha se nuk sheh arsye që Beogradi nesër të mos bisedojë me Albin Kurtin, pavarësisht se ai është ithtar i Shqipërisë së Madhe, por së paku është transparent.
“Kurti e thotë atë që e mendon për dallim nga të tjerët që një e thoshin e tjetër gjë zbatonin në terren”, është shprehur Bogdanoviq.
“Kujtoni vetëm Bashkësinë e Komunave Serbe, kujtoni vetëm Marrëveshjen e Brukselit – për shtatë vjet, pa ekzagjerim, asgjë nuk është bërë. Si një serb nga Kosova pres që qeveria e re të bëjë shumë më shumë në këtë drejtim sesa Thaçi e Haradinaj, meqë ata megjithatë ishin të shantazhuar”, ka thënë ai.
“Serbët kanë probleme kur udhëtojnë në Kosovë, por edhe shqiptarët kur udhëtojnë në Serbi, thotë ai dhe shton se para së gjithash duhet të zgjidhen problemet jetësore – të mos keni probleme me dokumente, me targa, kadastër, diploma, rrymë, e mbi të gjitha me siguri”, i ka deklaruar Bogdanoviq REL-it.
“Këto janë ato që e ngarkojnë jetën edhe të serbëve, edhe të shqiptarëve. Prandaj së pari duhet të zgjidhen këto probleme, e pastaj t’u hyhet atyre më të mëdha”, ka thënë ish-ministri për Kosovën.
Sipas tij, shkëmbimi i territoreve do të ishte gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte popullit serb në Kosovë.
“Opozita në Serbi vazhdimisht sulmon idenë ripërcaktimit të kufirit, ndërsa në Prishtinë, por Haradinjat e Albin Kurtit, janë të pakët ata që publikisht e kundërshtojnë. Nuk e kemi dëgjuar zërin e organizatave joqeveritare të Kosovëps, ndërsa ato në Serbi e kundërshtojnë ashpër”, shprehet Bogdanoviq.
Sipas tij, shkëmbimi i territoreve mund të ndajë jo vetëm popullin serb në Kosovë, por edhe të rrezikojë popujt e tjerë në Ballkan.
“Meqë, meqë serbët, shqiptarët e boshnjakët dhe shumë popuj të tjerë jetojnë në më shumë shtete të ish-Jugosllavisë. Shkëmbimi i territoreve vetëm sa do të shkaktonte efekte domino që do të ndizte epshet dhe apetitet nacionaliste. Konsideroj se ndër disa liderë perëndimorë ende gjallëron kjo ide, por jam më shumë se i sigurt se edhe më tutje jeton te përfaqësuesi i Serbëve, Aleksandar Vuçiqi”, është shprehur ai.
Bogdanoviqi ka deklaruar se nuk e sheh që dikush në të ardhmen e afërt nga Serbia do të mund të pranonte pavarësinë e Kosovës.
“Nuk ka as klimë, as kushte për diçka të tillë. Por, ja, të mos flasim për njohje, t’i rregullojmë raportet dhe të mos e pengojmë njëri tjetrin në organizatat ndërkombëtare e sportive. Dhe të vendosim raporte që nuk do të ngarkojnë të ardhmen e dy popujve”, ka thënë Bogdanoviq, transmeton Koha.net.