Grave dhe vajzave në komunën e Prishtinës (nga 21-65 vjeç) sot u janë dërguar ftesat individuale përmes mesazheve telefonike (SMS) për të bërë PAP testin në njërën nga qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, si QKMF- Qendra e Mirëqenies së Gruas, Qendra e Mjekësisë Familjare Nr. 5, apo Qendra e Mjekësisë Familjare Nr. 6.
Informimi dhe vetëdijesimi i grave dhe vajzave për të bërë PAP testin u arrit përmes mbështetjes së UNFPA-së, zyra në Kosovë, dhe koordinimit nga ana e Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.
Ofrimi i PAP testeve pa pagesë si pjesë e programit të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prishtinës po vazhdon me sukses edhe në vitin 2018. Programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës, përmes PAP testeve u lansua në vitin 2016
Qëllimi i skriningut për kancer të qafës së mitrës është zbulimi i hershëm i qelizave jonormale të qafës së mitrës, në fazat e hershme, kur mund te hiqen me lehtësi para se të zhvillohet kanceri.
Ky projekt është mundësuar nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara- UNFPA si dhe falë bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale te Komunës se Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare ne Prishtine, Institutit të Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik në Kosovë dhe Aksionit për Nena dhe Fëmijë.