Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë në Prizren ka kërkuar paraburgimin e katër të dyshuarve për grabitje me armë në një market në Prizren të martën.
Më 12 korrik, katër persona grabitën nën kërcënimin e armës një market në rrugën “Besim Shala” në Prizren.
Të dyshuarit, S.K., D.S., G.P., dhe L.B., mund të përfundojnë në paraburgim për një muaj, nëse gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për paraburgimin e tyre.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 12.06.2022 rreth orës 21:35 në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, saktësisht në një market pronë e të dëmtuarit G.B., nga fshati Hoqë e Qytetit, në bashkëkryerje përmes armës, përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër – të dëmtuarave Y.B., dhe F.V., (punëtore të marketit në fjalë)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në atë mënyrë që futen në market, me ç’rast i pandehuri S.K., ia drejton armën e zjarrit – pistoletën punëtoreve të marketit, derisa i pandehuri G.P., së bashku me të pandehurit L.B., dhe D.S., shfrytëzojnë momentin e volitshëm, me ç’rast arrijnë t’i marrin nga arka e marketit shumën e parave prej 600 euro”, vijon njoftimi rreth ngjarjes.
Të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Grabitja”.