Si pasojë e grabitjes së armatosur në një argjendari në Suharekë, një polic është plagosur nga plumbi rikoshet dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore, por jo nga plumbi.
Këtë informacion e konfirmoi për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Lidhur me rastin nuk ka akoma persona të arrestuar, teksa organet e sigurisë kanë njoftuar se po punohet për zbardhjen e rastit.
Zëdhënësi Bytyqi tha se në grabitje janë përfshirë katër persona të dyshuar.
“Sot rreth ores 15:45 është marrë informatë së në Suharekë në një argjendari është një grabitje me armë ne zhvillim e sipër. Patrullat policore të Stacionit të policisë së Suharekës janë informuar menjëherë dhe kanë shkuar në vendngjarje. Rreth orës 16:03 min kemi marrë informatën se vetura e dyshimtë është një veturë e pasagjerëve. Sapo policia ka mbërri në vendngjarje të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, një zyrtar policor është plagosur, ai ka marr tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë. Në grabitje dyshohet se janë të përfshirë 4 të dyshuar të cilët për momentin kanë arrit që të largohen nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Bytyqi.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar pas grabitjes së armatosur që u krye në një argjendari në këtë komunë, ku si pasojë u plagos edhe një zyrtar policor. Katër të dyshuarit për grabitje janë ende në arrati.
Muharremaj ka njoftuar se ka biseduar me Komandantin e Policisë, i cili i ka thënë se po punohet në zbardhjen e rastit, raporton Express.
Ai ka apeluar nga të gjithë që ta ruajnë qetësinë.
“Sapo bisedova me Komandantin e Policisë, për rastin e grabitjes në një lokal në Suharekë, dhe u njoftova se po punohet në zbardhjen e rastit. Apeloj nga të gjithë që ta ruajmë qetësinë dhe të presim raportimin zyrtar. Uroj që ky rast të mos përseritet kurrë në të ardhmen”, ka shkruar Muharremaj në Facebook, teksa ka publikuar një fotografi nga vendi i ngjarjes.