Grabovci padit Insajderin, kërkon kompensim për dëmtim të reputacionit

Prishtinë | 25 Gus 2016 | 14:50 | Nga

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, përgjimet e të cilit janë duke u publikuar nga Insajderi prej 1 gushtit të këtij viti, ka paditur mediumin me pretendimin se i është shkelur privatësia dhe se me publikimin e tyre i është dëmtuar rëndë reputacioni dhe autoriteti. Insajderi ka publikuar vetëm ato biseda që lidhen me detyrën zyrtare dhe jo ato që janë biseda për çështje private, e familjare.

Adem Grabovci, nuk i ka dhënë vlerë të saktë monetare “dëmit” që pretendon se ia ka shkaktuar Gazeta Online Insajderi, me publikimin e përgjimeve të tij telefonike.

Vlerën ka thënë se do ta caktojë gjashtë shqyrtimit të padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Përveç kësaj, ai pretendon se autori i shkrimeve ka kryer vepër penale me rastin e nxjerrjes së përgjimeve, të cilat sipas tij do të duhej të shkatërroheshin.

Grabovci, në padi kishte kërkuar masë të sigurisë, por Gjykata Themelore ia ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Ai është ankuar në Gjykatën e Apelit, nga e cila po kërkon që të bllokohet publikimi i mëtutjeshëm i përgjimeve.

“Me 1 Gusht 2016 gazeta online e quajtur ‘Insajder’ e cila publikohet në uep-faqen www.insajderi.com, përmes gazetarit Vehbi Kajtazi, ka publikuar biseda telefonike të cilat pretendohen se janë incizuar nga organet e rendit në një procedurë hetimore. Përmbajtja e këtyre bisedave ishte private. Qëllimi i publikimit të këtyre bisedave ishte shkaktimi i dëmit për paditësin, duke pas parasysh që është figurë publike”, thuhet në fillim të padisë.

Në këtë padi thuhet se e drejta e privatësisë për çdo qytetar të Republikës së Kosovës garantohet me Nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe Nenin 8 të Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Në kundërshtim me këtë garancion kushtetues kjo gazetë online ka bërë publikimin e këtyre incizimeve të bisedave telefonike dhe ka premtuar se do të bëjë publikimin edhe të bisedave të tjera private”, pretendohet në padi.

Grabovci pretendon se me rastin e publikimit të këtyre bisedave private, i është shkaktuar dëm jo-material nga ana e të paditurve.

“Të paditurit në gazetën-portalin e tyre kanë premtuar se do të bëjnë publikimin e bisedave të tjera private të paditësit, duke paralajmëruar vazhdimin e shkaktimit të dëmit dhe duke e shkelur të drejtën e privatësisë”, shkruan në padi. Si provë për këtë është dorëzuar shkrimi i parë paralajmërues i Insajderit me titull “Shteti në dorë të nëntokës, në të cilin ishte paralajmëruar publikimi i bisedave të Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Shaip Mujën, Ramë Bujën, Ilhami Gashi, Hajdar Beqën, Latif Gashin, Azem Sylën, e zyrtarë tjerë shtetërorë e partiak, ashtu siç edhe ka ndodhur.

Megjithëse, Grabovci i është drejtuar Gjykatës me padi civile, pretendon se “ka dyshim të bazuar se të gjitha këto përgjime janë nxjerrë përmes kryerjes së veprës penale të sanksionuar me Nenin 203 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ngase marrë nga një procedurë hetimore”.

Grabovci, ka kërkuar nga Gjykata që të caktojë masën e sigurisë, të urdhërohet Insajderi që të mos publikojë asnjë bisedë telefonike të incizuar deri në përfundimin e kësaj procedure kontestimore.

“Ndërsa, pas administrimit të të gjitha provave lidhur me rastin konkret i propozojmë gjyaktës që të sjellë këtë aktvendim: Të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e Adem Grabovcit; të detyrohet Insider sh.p.k që paditësit t’ia kompensojë dëmin jomaterial në shumën e cila do të precizohet gjatë shqyrtimit kryesor”, kërkohet në padi.

Me përgjimet e publikuara, është dëshmuar fuqia e Adem Grabovcit dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci punëson qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. Heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërron komisione për konkurse. Madje i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme.

Gjithë këto veprime Grabovci i bën me dijeni dhe në bashkëveprim me Hashim Thaçin, president i Kosovës të cilin e quan “shef”. Shef e quan edhe Kadri Veselin, të cilit i thotë: “Ti i merr vendimet, unë i zbatoj”.

Ndërkohë, Prokuroria po analizon përgjimet dhe pritet të ketë vendim formal për nisjen e hetimeve për vepër penale. Prokuroria është aktivizuar vetëm pas publikimit të përgjimeve nga Insajderi, ndonëse këto përgjime ishin në dorë të prokurorëve të EULEX-it për gati pesë vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme