Grafitet kërcënuese në Beograd, “thirrje” ushtrisë të kthehet në Kosovë

Prishtinë | 01 Gus 2023 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Grafiti i ri “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” u shfaq në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është pikturuar flamuri i Serbisë.

Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.

Pos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shfaqur në stadium, para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të qytetit.

Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radios Evropa e Lirë se ishte një mesazh i shëmtuar dhe se në ato fasada mund të vizatohej diçka shumë më e mirë.

“Nxitja, kujton disa prej gjërave negative”, tha ai.

Ai tha se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propagandë nacionaliste.

Milica Jovanoviq, banore e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo i percepton këto mbishkrime si shpërfytyrime të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.

“Mendoj se mesazhi nuk përkon me atë që është ky qytet, një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo, nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë”, tha ajo.

Të ngjashme