Grajqevci për deklaratën e ministres serbe: Serbia nuk mund të bëj spastrim etnik në Kosovë

Prishtinë | 15 Kor 2026 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Ditë më parë ministrja serbe Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka deklaruar se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”.

Ndaj, kësaj deklarate ka reaguar edhe Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të të Zhdukurve në Kosovë, Ahmet Grajqevci.

Grajqevci, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se Serbia vazhdon ta ketë si synim spastrimin etknik të shqiptarëve nga Kosova.

“Po shiko, nëse çdo serb që… edhe një shtet që prodhon vetëm kriminelë, ai nuk ka fjalor tjetër përveç asaj. Sepse Suzana Paunoviq edhe shumë Paunoviqa të tjerë, ata e kanë në plan të parë, planprogramin e Vaso Çubrilloviqit dhe Dobrica Qosiqit, spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Është, nuk e di se si mendojnë ata. Ata vetëm kriminelë prodhojnë. Mendojnë se shqiptarët… shqiptarët janë pakicë, shqiptarët janë shumicë në Kosovë, dhe mbi 98% janë shqiptarë në Kosovë. Edhe ta pastrosh një, një vend siç është Dardania, Kosova me 98%, jo veç Serbia, po nuk mundet as Amerika me bërë spastrim etnik. Sepse është e shqiptarëve, jemi autoktonë këtu. Por ata jetojnë këtu dhe atë qëllim derisa të vdesin serbët e kanë në paramendim, spastrimin etnik të Kosovës”, tha ai, për Ekonomia Online.

Deklarata e ministres serbe, nxiti reagime të shumta në Kosovë e jashtë saj.

Të hënën Kosova e ka shpallur person non grata Snezana Paunoviq, ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës.

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjuha e Paunoviqit është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.

Ai ka shtuar se një gjuhë e tillë duhet të dënohet ashpër nga të gjitha shtetet.

Deklaratën e ministres serbe e ka dënuar edhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.

Të ngjashme