Mesfushori kosovar i Arsenalit, Granit Xhaka, ka shprehur lumturinë e tij me ecurinë e përkryer të Arsenalit prej 21 ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e zakonshme.
Xhaka, i cili mungoi në fitoren e Arsenalit 1-0 ndaj Huddersfieldit të shtunën, foli për BBC për ecurinë e “Topçinjve”, si dhe e lartësoi Lucas Torreiran për golin e tij fantastik me gërshërë që ia siguroi tri pikë tjera skuadrës së tij, transmeton Gazeta Express.
Para se ta mposhte Huddersfieldin 1-0 me golin e Torreiras, Arsenali e mundi Tottenhamin në derbin londinez dhe më pas barazoi me Manchester Unitedin në Premierligë, duke grumbulluar shtatë pikë nga tri ndeshje të rëndësishme.
“Mendoj se ai dëshiron të bëhet si Aubameyang dhe Lacazette!”, tha me shaka mesfushori kosovar i Zvicrës për Torreiran.
“Ishte një javë e përkryer për ne. Fitore ndaj Tottenhamit në shtëpi, barazim me Manchester Unitedin në udhëtim dhe sot fitore. Mendoj se është perfekt për ne”, tha Xhaka.
“Ende kemi shumë gjërat për t’i përmirësuar, natyrisht, por mund të jemi të lumtur. Nuk është normale të shkosh 21 ndeshje pa humbje”, shtoi ai.