Granit Xhaka nuk ka mundur t’i përballojë presionit të kosovarëve, të cilët këto ditë e kanë “bombarduar” me kritika të ashpra për shkak që vendosi të vazhdojë të luajë për Zvicrën dhe të mos i bashkohet Kosovës. Mesfushori i Arsenalit përmes një letre të hapur është munduar ta arsyetojë vendimin e tij për të vazhduar me Zvicrën, duke kërkuar nga kosovarët që t’i ndalin kritikat në drejtim të tij.
“Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe FIFA nuk kanë një marrëveshje të qartë për kalimin e lojtarëve nga Zvicra te Kosova. FIFA thotë qartë se kush ka luajtur në “EURO 2016” nuk ka më të drejtë të ndërrojë ekipin përfaqësues. Kosova është pranuar në FIFA disa javë para se të fillonte Kampionati Evropian dhe që atëherë ne duhet të ishim informuar, sepse ne këtë informacion si lojtarë nuk e kishim. Të tjerë drejtues e dinin edhe duhet të na informonin”, ka thënë Xhaka.
“Për këtë shkak tani është e pamundur të ndërrojmë kombëtaren edhe ju garantoj se si FIFA ashtu edhe FFK nuk më kanë informuar për anën ligjore dhe rruga se si duhej të veprohej. FFK-ja duhet të kishte kërkuar sqarim nga FIFA për këtë pikë menjëherë pasi u pranua në FIFA dhe UEFA”, ka theksuar Xhaka, duke potencuar se personalisht ishte i interesuar t’i bashkohej Kosovës, për çka thotë se kishte angazhuar edhe stafin e tij.
“Nuk janë të vërteta ato që thonë disa drejtues të federatës dhe një pjese e medias. Graniti nuk është nga ata që bën publike gjithçka, por punon për gjithçka. Kërkesa ime dhe angazhimi im ka qenë gjithmonë të bëheshin gjitha procedurat e duhura për të bërë të mundur që unë te luaja për Kosovën”, ka potencuar ai.
Ai thotë se edhe pse ka mbetur në Zvicër, do të luajë me krenari për këtë shtet, i cili ka bërë shumë për mijëra emigrantë nga Kosova dhe se do t’i përfaqësojë 300 mijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër.