Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me STIKK, ka organizuar takim mes të rinjve dhe kompanive të suksesshme kosovare të udhëhequra nga gratë në Teknologjinë Informative dhe të Komunikimit (TIK), për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Ngjarja “DigitALL: Njoftohu. Lidhu. Inspirohu”, që u mbajt në Shtëpinë e Evropës, kishte për synim që të lidhë, të inspirojë dhe të krijojë bashkëpunime mes të rinjve dhe profesionisteve të ardhshme në sferën digjitale dhe grave lidere të bizneseve në TIK.
AnnaCarin Platon, Zv. Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se në ditët si 8 Marsi duhet ta kujtojmë rëndësinë e shkollimit të vajzave dhe grave, por edhe kontributin që ato u ofrojnë kompanive.
Platon u shpreh se është fatkeqësi që ende ekzistojnë stereotipe gjinore.
“Viti 2023 është Viti Evropian i Shkathtësive. Dita Ndërkombëtare e Gruas është një ditë që na kujton se çfarë duhet të bëhet që grave dhe vajzave t’u jepen shkollim dhe vend i mirë i punës. Gjithashtu do të kemi fokusin në ato se çfarë kanë për t’u ofruar gratë kompanive”, ka thënë ajo.
Në vazhdim, para të rinjve, shumica të gjinisë femërore, folën gra drejtuese organizatave dhe të ndërmarrjeve të TIK-ut në Kosovë, të cilët treguan rreth mundësive që këto u ofrojnë të rinjve, ndanë përvojat dhe sfidat me të cilat ato u përballën gjatë rrugëtimit drejt suksesit.
Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive në STIKK, tha se në sektorin që ajo përfaqëson, shumica e punëtorëve janë nga “gjinia e bukur”. Ajo, përveç kontributit të grave, përmendi edhe atë të burrave, të cilin e cilësoi si çelësin e suksesit.
“Dhuna në familje është shumë e theksuar. Duhet të punojmë vazhdimisht për t’i mbrojtur gratë dhe vajzat tona. Ka diçka që mund ta bëjnë gratë personalisht… Këshillë e imja është që nuk duhet të zmbrapsemi, sepse vetë natyra na ka krijuar si të forta”, iu drejtua Çavolli grave të pranishme.
“Sektori të cilin unë e përfaqësoj, që është sektori i Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, shumica nga ato që punojnë janë të ‘gjinisë së bukur’. Në këtë rrugëtim nuk kam pasur fatin që të më përkrahin vetëm vajzat dhe gratë, por edhe djemtë dhe burrat dhe kjo është mendoj çelësi i suksesit”, theksoi drejtoresha e STIKK.
Vildane Kelmendi, drejtoreshë e programit në Cactus Education, tha se i vjen mirë që po i jepet rasti të ndajë me gratë dhe vajzat e tjera, eksperiencën e saj dhe sfidat që ka kaluar për të arritur sukses.
“Në vitin 2002 pasi punova në Tiranë, vendosa të kthehem në Prishtinë. Vij nga një pjesë tjetër e vendit, nëse mund ta them, nga Presheva dhe kur erdha këtu mund ta them se ka qenë një nga sfidat e mia të para. Të fillosh në vitin 2002 të punosh me kabllo të rrjetit ishte pak sfiduese për mua si gjini femërore, të paktën”.
“Arrita të bëhem si instruktorja e parë femër në rajonet shqipfolëse. Asgjë për asnjë gjini nuk vjen falas, as për meshkujt as për gjininë femërore. Në çdo punë ke sfida dhe duhet të kesh vullnet. Ai mundi në njëfarë mënyre më është shpërblyer, sepse tani jam bashkë-aksionare në ‘Cactus Education’. Ne në ndërmarrjen ‘Cactus’ jemi 49% femra, dhe shumica janë vendimmarrëse”.
“Gratë munden nëse duan. Ti duhet të rregullosh balancin mes familjes dhe punës”, ishte porosia e Kelmendit.
Diora Binxhiu, bashkëthemeluese e “Polar Bear Agency”, gjithashtu foli për sfidat e fillimit, të cilat shtohen për një grua.
“Siç ishin inspiruese për juve vajzave të reja, dy fjalimet e para të folësve, njëkohësisht ishin edhe për mua. Sa herë që i dëgjoj, prapë më vjen njëfarë force dhe vullneti për të vazhduar. Unë ndoshta jam pak më e re se dy folëset para meje, por kanë qenë të dyja shumë përkrahëse prej kur kam filluar dhe jam futur në fushën e ICT-së. Unë kam gati 10 vite që punoj si ‘digital marketer’, kam qenë njëra ndër personat e parë personat e parë që ka hyrë në këtë fushë, tash pas 10 viteve kam hapur Agjencinë time”, tha Binxhiu.
Ngjarja që u mbajt sot me moton “DigitALL: Inovacioni dhe Teknologia për barazinë gjinore” është pjesë e angazhimit global të BE-së këtë vit për të inkurajuar gratë të punojnë në fushën e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), për të promovuar barazinë gjinore, të drejtat dhe fuqizimin e grave.