Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuese e posaçme e BE-së, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi i Kosovës për Barazi Gjinore bashkë-organizuan sot takimin me gratë në politikë, deputetet, gratë e asambleve komunale dhe zyrtaret për barazi gjinore.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se takimi u thirr me qëllim që të planifikohet dhe të ideohen strategji për avancimin dhe fuqizimin e ndikimit të grave politikane në proceset vendimmarrëse në Kosovë.
“Gratë mbeten të nënpërfaqësuara në politikë në nivel komunal dhe qendror në Kosovë, dhe për ta adresuar këtë çështje janë ndërmarrë iniciativa të ndryshme. Megjithatë, gratë vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuara edhe pas zgjedhjeve komunale dhe qendrore të vitit të kaluar”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Apostolova në fjalimin e saj theksoi rëndësinë e rolit të gruas, në veçanti gruas në politikë si dhe çfarë mund të bëhet në avancimin e pozitës së gruas duke kontribuar kështu arritjen e barazisë gjinore.
Ndër të tjera ajo u shpreh se, “një aspekt kyç është solidariteti. Ndonjëherë shoqëritë na mësojnë, si gra, të konkurrojmë me njëra-tjetrën, për të nënvleftësuar njëra-tjetrën, për të ulur njëra-tjetrën poshtë. Ne duhet ta ndalojmë këtë rreth vicioz. Është kur mblidhemi dhe bëhemi bashkë, atëherë ne jemi më të fuqishme dhe bëjmë ndryshimet më të mëdha”.
Në frymën e ndryshimeve që ndodhin kur bashkohen gratë në politikë me gratë e shoqërisë civile, edhe Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGK-së, foli për historikun e Lobit të Kosovës për Barazi Gjinore, dhe theksoi se sidomos në mbledhjen e tyre të fundit, nevoja për të bashkuar forcat mes grave politikane në nivel lokal dhe qendror që të dëgjohen zërat e grave për çështje të rëndësishme politike u ngrit si prioritet nga anëtaret e Lobit.
Me shembuj nga e kaluara për solidaritetin e grave dhe fuqinë e zërit të bashkuar, Rogova tha se, “rrjeti kur e pa nevojën që duhet të bashkohemi prapë edhe në nivel lokal filluam që të mbledhim asambleistet nëpër komunat e ndryshme edhe të themi na mundemi bashkë me i shty gjërat përpara. Është koha që të bashkohemi, është koha që të shtyjmë proceset bashkë.”
Më konkretisht, pjesëmarrëset u ndanë në grupe punuese për të hartuar strategji dhe për të diskutuar se cilët janë faktorët kyç që minojnë pjesëmarrjen e grave në politikë dhe cilat hapat mund të ndërmarrim që nga tani e deri te zgjedhjet e ardhshme për të rritur përfshirjen e grave në politikë.
Temat specifike të grupeve ishin: përmirësimi i kuadrit ligjor; puna me udhëheqësit e partive politike; krijimi i elektoratit dhe mobilizimi i votueseve; financimi i fushatave të kandidateve; rekrutimi dhe fuqizimi i një numri më të madh grash për të garuar në zgjedhje; adresimi i problematikave që i pengojnë gratë të marrin pjesë në politikë; përmirësimi i mbulimit mediatik të kandidateve dhe politikaneve.
Pjesëmarrëset u dakorduan për nevojën e krijimit të një aleancë të përbashkët të grave në politikë që do të ndihmonte në promovimin e sukseseve të tyre. Kjo, si rrjedhojë e diskutimit për krijimin e një Programi Mentorimi për gratë politikane në nivel lokal dhe qendror, duke dashur të kuptohet sa më mirë çfarë mund të jenë pritjet e grave në politikë për një program të tillë dhe se si gratë mund të mbështesin më së miri njëra-tjetrën. Takimi i ardhshëm do të mbahet me 22 qershor në Prishtinë.