Gratë urojnë 8 Marsin: “Dashuria për familjen dhe sakrificat e nënave janë krenaria jonë”

Prishtinë | 08 Mar 2026 | 12:58 | Nga Artiona Çitaku

Festa e 8 Marsit është Dita Ndërkombëtare e Gruas, një ditë që simbolizon dashurinë, sakrificën dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në familje dhe shoqëri. Në këtë ditë, shumë gra ndajnë mesazhe urimi dhe reflektime për jetën, familjen dhe sfidat që kanë kaluar, raporton Ekonomia Online.

Filloreta Bregasi nga Tirana uron që të gjitha gratë dhe nënat të jenë të lumtura pranë familjeve të tyre. Ajo shpreh urimet e saj për gratë kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në çdo vend tjetër, duke theksuar rëndësinë e lumturisë familjare.

“Festa e 8 Marsit është për të gjitha nënat, të gjitha vajzat ju uroj të jenë të lumtura pranë familjeve të tyre. Për fëmijët e mi dhe njerëzit e mi që më rrethojnë. Qofshin të lumtura kudo që janë në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni kudo që të jenë qofshin nëna të lumtura”, tha Bregasi për EO.

Ndërkohë, Luljeta Haxhillari e përkufizon 8 Marsin si festën e gruas, të nënës dhe të sakrificës së një gruaje për familjen e saj.

“Tani festa e 8 Marsit për neve në Shqipëri mund ta përkufizojmë me disa gjëra shumë të mira, festa e gruas një, festa e nënës 2, festa e një gruaje në familje që sakrifikon gjithë jetën për fëmijët dhe për familjarët. Gjëja më krenare është që kam arritur të krijojë një familje shumë të shëndoshë, të edukojë 3 fëmijët e mi dhe një familje të qëndrueshme. Tani për 8 Marsin të gjitha gratë duhet të bëjnë atë që ju takon edhe ta marrin sa më me dashuri jetën dhe ta jetojnë ashtu sikur ju vjen”, tha Haxhillari.

Ndërkaq Emine Gjoka ndan historinë e saj personale, duke treguar se jeta nuk ka qenë e lehtë, por ajo ndihet e lumtur që ka rritur dy djemtë e saj.

“Unë nuk është se kam kaluar ndonjë jetë shumë të lehtë, por jam e lumtur se kam rritur 2 çuna, i kam pas 13 viteve martesë dhe jam shumë  e lumtur për ta, mi ka bërë Zoti hallall dhe kjo është jeta ime dhe ju uroj gjithë grave, gjithë nënave që kanë rritur fëmijë dhe janë nëna shumë të vuajtura si në Kosovë, si në Shqipëri ju uroj që të kenë jetë sa më të lumtur dhe sa më të mbarë. Aq e lumtur jam vetëm për dy fëmijët e mi që kam rritë, edhe kam shoqe, domethënë edhe e rrethuar nga shoqëria ime, jam shumë e lumtur për këtë, pastaj jeta vuajtje ka. Ju uroj grave që të jenë shëndoshë e mirë, t’i kenë familjet shëndoshë e mirë o Zot ua ruajtë Zoti ku t’i kenë fëmijët se sot emigrimi për nënat është shumë i rëndë edhe unë e kam kaluar këtë kohë. Qofshin gratë dhe nënat më të lumturat”, tha Gjoka.

Ndërkohë, edhe Floristja Sheri thekson se 8 Marsi është një nga ditët më të rëndësishme për dhurimin e luleve.

” Interesi për buqeta është shumë i madh, veçanërisht në Prishtinë, ku qytetarët zgjedhin lule për të shprehur dashurinë dhe respektin për gratë. Zambaku dhe karafili janë ndër lulet më të kërkuara për këtë festë, ndërsa trëndafili vazhdon të konsiderohet “mbreti i luleve” dhe mbetet pjesë e pandashme e buqetave”, tha floristja Sheri.

Të ngjashme