Greqia përfundon programin e Eurozonës për shpëtim

Prishtinë | 20 Gus 2018 | 10:00 | Nga

Greqia ka kompletuar me sukses programin e Eurozonës për shpëtim, i cili është hartuar për t’i ndihmuar këtij vendi që të përballet me krizën e borxheve.

Për herë të parë në tetë vjet, Greqia tani është e lirë për të huazuar të holla në tregjet financiare.

Si parakusht për kredi, Qeveria Greke është detyruar të prezantojë një seri të masave shtrënguese të papëlqyeshme.

Ekonomia e Greqisë është rritur lehtas në vitet e fundit, mirëpo vazhdon të jetë 25 përqind më e ulët në krahasim me periudhën kur ka nisur kriza.

Së bashku me ndihmën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kreditë që i janë dhënë Greqisë nga viti 2010 kapin vlerën e më shumë se 260 miliardë eurove.

Kjo shifër njëherësh shënon planin më të madh për shpëtim në gjithë historinë financiare globale.

Mekanizmi Evropian i Stabilitetit i ka ofruar këtij shteti 61.9 miliardë euro në tri vjetët e fundit.

Kjo mbështetje ka pasur synim t’i ndihmojë Qeverisë Greke për të reformuar ekonominë dhe për të rikapitalizuar bankat.

“Greqia tani mund të qëndrojë në këmbët e veta”, ka thënë udhëheqësi i këtij Mekanizmi, Mario Centeno.

Ai ka falënderuar popullin grek për bashkëpunim, duke thënë se për herë të parë nga viti 2010 nuk do të ketë më “programe të shpëtimit”.

Mirëpo pavarësisht kësaj, liria e Greqisë për të menaxhuar çështjet ekonomike do të pengohet nga mbikqyrja e rreptë e ekzekutivit të Bashkimit dhe Komisionit Evropian.

Krejt kjo është deklaruar për të siguruar që autoritetet greke do të zbatojnë reformat ashtu siç janë pajtuar me palët që kanë ofruar kredi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme