Greqia e ka zgjatur deri më 7 qershor masën e izolimit të vendosur në kampet e mbipopulluara të migrantëve.
Këto kampe janë të izoluara që nga muaji mars.
“Masat kundër përhapjes së koronavirusit janë vazhduar për banorët e qendrave të pritjes dhe identifikimit në të gjithë vendin”, tha ministria greke e Migracionit përmes një deklarate.
Qeveria greke nuk ka dhënë detaje pse është shtyrë masa e izolimit për kampet e migrantëve, derisa vendi ka lehtësuar masat kundër koronavirusit në fillim të muajit maj.
Shpërthimi i epidemisë ka ndikuar shumë pak në kampe.
Greqia ka regjistruar 168 të vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.
Mirëpo, asnjë vdekje nuk është regjistruar deri më tani, në kampet e refugjatëve dhe migrantëve.
Sidoqoftë, testet masive për koronavirus në kampe kanë filluar në fillim të majit.
Vetëm dy migrantë që arritën në ishullin Lesbos, në fillim të majit, kanë rezultuar pozitiv në COVID-19. Ata u vendosën në karantinë, në një kamp të përkohshëm.
Por, organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur frikën se të drejtat e migrantëve mund të cenohen nga kufizimet kundër koronavirusit.