Greta Thunberg kritikon edhe bankat, ka një porosi për to

Prishtinë | 29 Tet 2021 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Aktivistja e famshme për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg, u ka bërë thirrje bankave që “të ndalojnë së financuari shkatërrimin tonë”, pak para samitit ndërkombëtar për klimën, COP26.

Adoleshentja suedeze ndodhet në Londër për të marrë pjesë në protestën me të cilën do t’i bëhet thirrje sistemit financiar që ta ndërpresë financimin e projekteve të lëndëve fosile, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Thunberg i tha reporterit të BBC-së se ndryshimi është i mundshëm në këtë samit, nëse mbahet trysnia ndaj politikanëve, por shtoi se ajo personalisht nuk është ftuar për të mbajtur fjalim në Glasgou të Skocisë.

Protestat kundër investimeve në projekte të lëndëve fosile vijnë në kohën kur udhëheqësit botërorë do të takohen nga e diela për samitin COP26.

Protesta në Londër është pjesë e një vargu protestash që do të mbahen të premten në qendra të ndryshme financiare në botë, përfshirë Nju Jorkun, San Franciskon dhe Nairobin.

Aktivistja Thunberg tha se aktivistët duan që t’u bëjnë trysni bankave, sepse ato ende janë duke e financuar nxjerrjen e lëndëve fosile.

Në samitin COP26 për klimën, më shumë se 200 shteteve pritet t’u kërkohet që t’i hartojnë planet e veta për pakësimin e lirimit të gazrave serrë deri në vitin 2030.

Të ngjashme