Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis ka diskutuar lidhur me detyrat, prioritetet dhe organizimin e punës së Komisionit, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i këtij komisioni, Liburn Aliu, dha një ide por që nuk gjeti përkrahje nga deputetët e këtij komisioni.
Aliu tha se në këtë fazë kur nuk ka plan-program të Qeverisë, prandaj propozoi që të bëjnë dy vizita në ministritë që janë në mbikëqyrje të këtij komisioni.
“Meqë nuk kemi plan-program të Qeverisë megjithatë jemi dakorduar që të vazhdojmë punën në këtë komision. Në kuadër të fushëveprimit tonë dhe pasi që ende nuk e kemi plan-programin e qeverisë, propozoj që ti bëjmë dy vizita në dy ministritë që janë në mbikëqyrjen tonë si komision”.
“Vizita të bëhet në ministrinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mjedisit. Kjo vizitë të bëhet në ditët në vazhdim ky synojmë që të na prezantohet planprogrami i këtyre dy ministrive që ata e kanë në plan-programin”, tha Aliu.
Por me këtë propozim të Aliut nuk u pajtua deputetja e PDK-së Evgjeni Thaçi. Ajo tha se fillimisht duhet vetë ministrat të vijnë në komision të njoftohen me anëtarë e më pastaj të shkojnë nëpër vizita.
“Unë kërkoj nga ju të paraqitni planin e punës. Unë mendoj se kjo nuk është ide e cila mund ta përkrah sepse vet ministrat duhen të vijnë në këtë komision”.
“Nuk jemi ne ata që duhet të dërgojmë kërkesa në ministri për vizita. Ne duhet t’i kërkojmë ministrave të vijnë në këtë komision. Paraprakisht të bëjnë planin e punës e mandej të vijnë ministrat në këtë komision. Pastaj ne mund të bëjmë këso vizita”, u shpreh ajo.
Por Aliu tha se kjo vizitë po bëhet vetëm për tu njoftuar me planin e punës nëpër këto ministri.
“Qëllimi i vizitës është që të jemi më të përgatitur qysh në fillim. Ne do t’i thërrasim ministrat në komision dhe kjo është kompetencë e jona dhe nuk do t’i lejmë rehat dhe këtë moment nuk kanë se çfarë të na thonë”.
“Ne shkojmë në vizitë dhe atje mund të njoftohemi me punën të secilit departament dhe gjithë atë plan e kemi më të lehtë që ta kuptojmë. Ne atje po shkojmë si deputet që jemi votuar nga qytetarët dhe ne i kemi votuar ata. Ne do të shkojmë në vizitë dhe kush do që dëshiron të vij është i mirëseardhur”, u shpreh Aliu.
Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, tha se nuk është praktikë e mirë që komisionet të shkojnë në ministri, por anasjelltas. Por që tha se nuk është kundër kësaj vizite.
“Nuk do të ishte praktike e mirë që të bëjmë vizita por vizitat janë në interes tonin që do na ndihmonte planin e punës së këtij komisioni. Por ne nuk duhet ta bëjmë praktikë se nuk është në rregull ne të shkojmë vizitë, ata të vijnë këtu. Unë jam pro kësaj vizite, por nuk është mirë të krijohet një praktikë e tillë”, tha Selmanaj.
Se ministrat kanë çfarë të raportojnë në komision, e dha një ide deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi.
“Unë mund ta jap një ide që mund ta ftojmë ministrin Lumir Abdixhiku dhe jo të shkojmë ne. Pra të vij dhe të flas për Badocin se ne nuk e dimë se çfarë mendimi ka Qeveria. Pra kjo është vetëm një ide se për çfarë mund të raportojë ky ministër përkitazi me këtë çështje”, u shpreh Thaçi.
Deputetja e PDK-së tha se nëse ky komision nuk ka plan konkret, është mirë që mos të ftohet më ky komision.
Sa i përket kësaj vizite, kryetari i Komisionit Liburn Aliu tha se personalisht do të shkojë. Edhe Rasim Selmanaj tha se do të shkojë me të.
Gjithashtu në këtë komision u formuar një grup punues për menaxhimin e kompleksit memorial”Adem Jashari”.
Aty u tha se në gjendja e rëndë në këtë kompleks do ta detyronte Qeverinë që ky kompleks të futet në buxhetin e këtij viti.
“Unë mendoj se ky grup do të njoftohet me punën që kanë mbetur nga Qeveria e kaluar dhe të kryhen punët në këtë mandat qeverisës. Pra ne si komision morëm vendim që të formohet një grup për zbatimin e ligjit për menaxhimin e kompleksit memorial ‘Adem Jashari’”, tha Aliu.
Endrit Shala, nga Nisma Socialdemokrate, tha se është i mjaftueshëm që në këtë grup punues të jenë tre anëtarë, raporton EO.
“Synim i joni është që të bëjmë presion në Qeveri në mënyrë që këtë vit të futet në buxhet të këtij viti të futet restaurimi i këtij kompleksi”.
“Ne e dimë se gjendja në këtë kompleks është e rëndë. Unë propozoj që në këtë grup punues të jenë 3 anëtarë. Nuk mendoj se duhet të shkojmë më shumë”, tha Shala.
Anëtarët e këtij grupi punues do të jenë Liburn Aliu nga VV-ja, Bajrush Xhemajli nga PDK-ja dhe Ilir Ferati nga LDK-ja.