Armëpushimi me Izraelin në Rripin e Gazës është arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit, njoftoi përmes një deklarate me shkrim Oda e Përbashkët Operative e Grupeve Palestineze të Rezistencës, në të cilën bëjnë pjesë edhe krahët e armatosur të grupeve si Hamasi dhe Xhihadi Islam.
Në deklaratë thuhet se armëpushimi do të respektohet për sa kohë që edhe Izraeli e respekton atë.
Lideri i Hamasit, Ismail Hanije, më herët tha se armëpushimi mund të kthehet nëse Izraeli i ndal sulmet ndaj Rripit të Gazës.
Ndryshe, shtatë palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe 25 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës që nga mbrëmja e djeshme.
Ndërkaq, shtatë palestinezë të tjerë ranë dëshmorë dhe një ushtar izraelit u vra të dielën pas përleshjeve që shpërthyen pasi grupet palestineze të rezistencës vërejtën një grup ushtarësh izraelitë me veturë civile të cilët kishin hyrë tre kilometra në Gaza.
Një ditë pas incidentit, një ushtar izraelit u plagos nga një sulm me raketa i grupeve palestineze të rezistencës, mes të cilave ndodheshin edhe Hamasi dhe Xhihadi Islam. Grupet palestineze njoftuan se ky sulm, gjatë të cilit u qëllua një autobus, është ndërmarrë në shenjë hakmarrjeje për dëshmorët e rënë të dielën.
Pas këtij zhvillimi, Izraeli nisi një sulm ajror, ndërsa grupet palstineze u kundërpërgjigjën me raketa.
Ndërkaq, Ylli i Kuq i Davudit, shërbimi izraelit i emergjencës, ka bërë të ditur se një person ka vdekur dhe mbi 50 të tjerë janë plagosur, prej të cilëve dy më rëndë.