Grupi parlamentar i Miqësisë Kuvajt – Kosovë, është pritur në takim nga Grupi i Miqësisë Kosovë – Kuvajt.
Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje, raporton Ekonomia Online.
Përderisa në ueb-faqen e Kuvendit emrat e anëtarëve të grupit të Miqësisë me Kuvajtin ende nuk janë zëvendësuar.
Aty ende gjenden emrat e legjislaturës së kaluar ku Zafir Berisha ishte kryetar, Bojan Mitiq nga Lista Serb nënkryetar dhe anëtarë Margarita Kadriu deputete e pavarur, Agim Ademaj dhe Muhamet Mustafa nga LDK dhe Safete Hadërgjonaj nga PDK.
Sot takimi është kryesuar nga Zafir Berisha e të pranishëm ishin edhe Blerta Deliu-Kodra e Safete Hadërgjonaj nga PDK, Driton Selmanaj nga LDK, Milaim Zeka nga Nisma dhe Ilir Deda nga Alternativa.
Zafir Berisha, në emër të grupit të miqësisë të Kuvendit të Kosovës, u shprehu mirëseardhje mysafirëve nga Kuvajti.
Ai i njohu miqtë kuvajtianë me punën, rolin dhe përbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i vendit.
Deputeti Berisha po ashtu foli për arritjet e shtetit të Kosovës në shumë segmente, ndërsa shtoi se ende ka nevojë për mbështetjen e miqve të tij.
Kryetari i Grupit të Miqësisë me Kuvajtin, theksoi se Kuvendi i Kosovës dhe Asambleja Kombëtare e Kuvajtit tashmë kanë krijuar një traditë të mirë të shkëmbimit të vizitave të delegacioneve të larta parlamentare dhe shtroi nevojën që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen.
Deputeti Milaim Zeka e konsideroi nderë të madh vizitën e miqve kuvajtianë në Kosovë dhe përmendi ofertat që i ka bërë Kuvajti Kosovës për projekte të ndryshme në sferën e zhvillimit ekonomik.
Deputeti Ilir Deda shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kuvajti i ka dhënë Kosovës në momentet më të vështira të historisë së saj.
Deputetja Flora Brovina, para miqve shprehu falënderimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvajtit, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe atë sociale.
Për një bashkëpunim më të madh midis dy shteteve dhe parlamenteve, u angazhuan edhe Safete Hadergjonaj e Driton Selmanaj.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra, ndërkaq, u fokusua në synimet e Kosovës për integrim të shpejt euro-atlantik. Ajo kërkoi thellim të bashkëpunimit në projekte zhvillimore për hapjen e vendeve te reja të punës për të rinjtë.
Për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe partneriteti parlamentar midis Kuvajtit dhe Kosovës, foli edhe deputeti Armend Zemaj.
Kryesuesi i delegacionit nga Kuvajti, njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë me Kosovën në parlamentin kuvajtian, Waleed Al- Tabtabaie, duke shprehur falënderimin e tij për mikpritjen, theksoi se Kuvajti ka qëndruar përkrah Kosovës në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke bërë përpjekje që të ketë paqe në këtë vend.
Ai gjithashtu bëri të ditura përpjekjet dhe përkushtimin e shtetit të Kuvajtit për njohjen e Kosovës nga vendet arabe të cilat ende hezitojnë ta bëjnë këtë. Ai, përmendi disa shtete arabe të cilat janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila, sipas tij, lidhet me faktin se disa shtete janë të ndikuara nga Rusia, për interesat e tyre.
Al- Tabtabaie foli edhe për fondin kuvajtian, nga i cili, sipas tij, mund të përfitojë edhe Kosova, në projekte të ndryshme infrastrukture. Ai konfirmoi se bashkëpunimi Kuvajt-Kosovë do të vazhdojë si në rrafshin shtetëror, ashtu edhe atë privat.
Gjatë ditës ky grup do të takohet edhe me përfaqësues të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione si dhe me Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.