Remzije Mustafa nga Prishtina e cila është zhdukur që disa ditë, ende nuk është gjetur.
Ndonëse Policia e Kosovës dhe qytetarë të shumtë janë duke vazhduar kërkimet për gjetjen e saj, ende nuk ka ndonjë rezultat.
Kërkimeve për ta gjetur Remzijen i është bashkuar edhe tifo grupi shqiptar, ‘Plisat’.
Këtë e kanë bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetin social, Facebook.
“Gëzimi i njërit prej nesh është gëzim i të gjithë neve, ashtu si edhe halli i njërit prej nesh është hall i të gjithë neve! Ka disa ditë që qyteti ynë është tronditur nga lajmi se zonja Remzije Mustafa ka humbur! Ngjarjen e kanë lajmëruar fëmijët e zonjës Remzije ndërsa të gjithë ne e ndajmë dhimbjen me ta.Me këtë rast, ne si grup i tifozëve të kryeqytetit, jemi organizuar që të dalim në ndihmë të familjes dhe ta kërkojmë zonjën Remzije nëpër lagjet dhe fshatrat e Prishtinës”, thonë ata.
“Plisat”, po ashtu kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë të iu bashkëngjiten atyre, për ta gjetur Remzijen
“I bëjmë ftesë të gjithë Plisave si dhe qytetarëve të Prishtinës e te fshatrave përreth që të fillojnë të kërkojnë në rrethinën e lagjeve e vendbanimeve të tyre, ndërsa organizimin për kërkimin e madh do ta bëjmë të shtunën. Takohemi prej orës 12:00 në fan club tek sheshi Zahir Pajaziti, ndërsa prej orës 13:00 nisemi të shpërndarë në terren. Në situata të vështira duhet të jemi të gjithë bashkë – Plisat në shërbim të qytetit e popullit”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërkaq, Policia ka bërë të ditur se më datë 07.11.2019 është raportuar për një person të zhdukur. Bëhet fjalë për Remzije Mustafa, e lindur në vitin 1960, banuese në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ku edhe është parë për herë të fundit.
Policia kërkon nga qytetarët të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së saj, duke informuar Policinë e Kosovës në linjën emergjente 192, apo në 0800 19 999.
Ndërsa ditë më parë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore te hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si :
intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit,
kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare,
kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura),
analizimi i video-incizimeve të zonave të ndryshme,
analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin, etj./