Militantët e grupit ekstremist, Nusrat al-Islam, të lidhur me Al-Kaidën kanë thënë se janë përgjegjës për sulmin ndaj misionit në Kombeve të Bashkuara në Mali, duke lënë të vdekur të paktën 10 pjesëtarë të OKB-së nga Çadi derisa 25 të tjerë janë plagosur.
Grupi ekstremist e ka bërë këtë njoftim përmes platformës Telegram më 21 janar.
Aty është thënë se sulmi i kryer më 20 janar në qytetin Aguelhok, është përgjigje ndaj marrëdhënieve diplomatike të presidentit të këtij shteti, Idriss Deby me Izraelin.
Kombet e Bashkuara ndërkohë kanë thënë se trupat e tyre i janë përgjigjur sulmit, duke vrarë disa militantë, mirëpo nuk kanë dhënë shifra konkrete.
Nga viti 2013, në shtetin e Afrikës Perëndimore janë vrarë më shumë se 100 trupa të OKB-së.
Rreth 13,000 paqeruajtës janë të stacionuar në Mali, në kuadër të misionit të OKB-së, që është themeluar pasi milicia ka pushtuar pjesën veriore të këtij shteti më 2012.
Ushtria franceze i ka dëbuar ata më 2013 prandaj rreth 4,000 trupa franceze vazhdojnë të jenë në Mali.
Një marrëveshje paqeje e nënshkruar më 2015 nga Qeveria e Malit dhe grupet e armatosura ka pasur synim rikthimin e stabilitetit në këtë shtet, mirëpo të gjitha paktet kanë dështuar të ndalin dhunën e militantëve islamistë.