Grupi Parlamentar i PD-së nis procedurë për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka nisur sot një procedurë për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Në një njoftim për mediat, Grupi i PD-së njofton se procedura është nisur “për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores.”

Grupi Parlamentar i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj akuzon kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se ka mbyllur ditën e sotme seancën plenare për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama, pas akuzave drejtuar ndaj tij për lidhje me ish-zyrtarit e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, të arrestuar së fundmi.

Sipas këtij grupimi të PD-së, kryetarja e Kuvendit u “mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës.”

Sipas Rregullores së Kuvendit, kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim me motivet dhe shkaqet e parashikuara në Kushtetutë dhe nga jo më pak se 28 deputetë.

Në rastin konkret, kërkesa për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit shqyrtohet nga Këshilli për Legjislacionin, i cili paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Në rast se kërkohet, Këshilli për Legjislacionin dhe Kuvendi në seancë plenare janë të detyruar të dëgjojnë Kryetarin e Kuvendit.

Në këtë rast seanca plenare drejtohet nga Zëvendëskryetari që i përket shumicës parlamentare.

Të ngjashme