Një grup në Facebook me emrin “Vullnetarët Covid-19” po ndihmon qytetarët në nevojë pas situatës së krijuar me pandeminë.
Luan Hasanaj, drejtor i organizatës “Let’s do it Kosova”, njëherësh themelues i këtij grupi në Facebook, ka thënë se deri më tani përmes këtij organizimi janë ndihmuar qindra familje me pako ushqim e me mjete mbrojtëse.
“Duke e ditur numrin e madh të përdoruesve të rrjeteve sociale në këtë rast të Facebookut, ka qenë ideja që të provojmë që gjatë kohës së pandemisë. Duke e ditur që edhe njerëzit janë duke qëndruar nëpër shtëpitë e tyre kemi menduar që të krijojmë diçka përmes së cilit njerëzit do të shkëmbejnë edhe informacione, mirëpo në rastin më të mirë edhe do të ofrojnë ndihmë për ata të cilët kanë nevojë. Qëllimi është për të qenë urë lidhëse në mes personave që kanë nevojë dhe të atyre që mund të ofrojnë ndihmë”, tha Hasanaj.
Ai ka thënë se prej themelimti të grupit, që në ditët e para të shfaqjes së pandemisë në Kosovë janë bërë rreth 8 mijë anëtarë.
“Duke e par zhvillimin e grupit dhe rritjen e tij tani më janë mbi 8000 anëtar që janë bërë bashkë në grup, shihet që është ndërtu një lloj forumi edhe i diskutimeve brenda atij grupi dhe pritshmërinë tona kanë qenë këto dhe kemi llogarit që duke e njoft dëshirën e madhe të njerëzve për të ndihmuar në këto ditë sigurisht që ka ndikuar në masë të madhe që shumë familje të ndihmohen mirëpo jo vetëm dhe grupi shërben edhe për të shkëmbyer informacione në lidhje me masat parandaluese për Covid-19”, shtoi ai.
Hasanaj ka thënë se në grup jepen informacione për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe më pas organizohen dhe i ndihmojnë.
“Shihet një disponim i madh i njerëzve për të ndihmuar, grupi është një adresë ku fillimisht evidentohen raste të cilat kanë nevojë për ndihmë. Nëse kushdo e njeh dikë i cili ka nevojë për ndihmë ajo informatë postohet menjëherë në grup dhe përbrenda grupit nuk përmendet emri dhe mbiemri i personit, i cili ka nevojë për ndihmë por vetëm përmendet vendi prej ku vjen dhe menjëherë pas postimit ne shohim njerëz që po ofrojnë ndihmë. Deri më tani janë qindra familje të cilat janë ndihmuar në bazë të këtyre postimeve që janë bërë në grup”, ka treguar Hasanaj.
Sipas tij, ka edhe prej vullnetarëve që janë nga profili shëndetësor dhe i ndihmojnë njerëzit drejtpërdrejt, por së pari regjistrohen në MSh.
“Janë dy forma ku njerëzit mund të regjistrohen si vullnetarë të profileve shëndetësore dhe gjithë ata që duan të kontribojnë në sistemin shëndetësor është një formë e cila mund të regjistrohet secili dhe ne atë formë të përditësuar e dërgojmë rregullisht te MSH-ja, por edhe në anën tjetër mund të regjistrohen vullnetar që nuk janë të profilit shëndetësorë mirëpo dojnë të ofrojnë ndihma të tjera për njerëzit në nevojë”, shtoi ai.
Lagjen Begaj në Malishevë e kemi furnizuar me maska dhe doreza, tha Hasanaj.
Ai ka treguar se e kanë krijuar edhe një listë të familjeve në nevojë të cilën ua kanë dërguar shtabeve komunale.
“Ka shumë raste që vetë qytetarët që kanë nevojë për ndihma lajmërohen dhe grupi si grup funksionon dhe janë diku rreth 12 persona që e koordinojnë dhe zakonisht na shkruajnë plot njerëz që janë në nevojë. Po ashtu ne kemi edhe një listë që e kemi formuluar të familjeve që janë me raste në nevojë dhe te shtabet komunale”, tha ai.
Ai ka falënderuar për ndihmën shoqatat “Bereqeti”, Fondacionin “Endrit Januzaj”, “Kryqi i Kuq”.
“Grupi do të vazhdojë të jetë në funksion deri sa të përfundojë pandemia. Ne po e shohim që masat po shtohen dhe nevojat do të jenë edhe më të mëdha. Ne tani vetëm jemi duke i pritur lejet për të qarkulluar vullnetarët”, shtoi ai.
Hasanaj ka thënë se nuk kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, por ka pasur edhe deputetë që kanë ofruar ndihma por nuk kanë dashur ta bëjnë publike.
“Ne nuk kemi kërkuar ndihmë prej institucioneve qeveritare. Kemi pas ndihmë ndoshta prej personave që janë pjesë e institucioneve mirëpo ajo ndihmë është bërë në mënyrë private dhe kemi deputetë që kanë ofruar ndihmë në mënyrë private por për shkak të kërkesës së tyre nuk i përmenden emrat”.